AKBN: ‘Bankers’ i ka shlyer investimet, duhet të paguajë tatim-fitimin

07/04/2015 00:00

Një audit financiar i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore mbi
‘Bankers Petroleum’, ka dalë në përfundimin se kompania duhet të kishte
filluar sakaq të paguante tatim mbi fitimin për buxhetin e shtetit.

Lajmi, i cili bëhet i ditur nga vetë kompania kanadeze në raportin e saj financiar për vitin e kaluar, është konfirmuar për Top Channel edhe nga Agjencia e Burimeve Natyrore.
 
Auditi, i përfunduar pak muaj më parë, veren se kostoja e rikuperueshme mund te jete e ndryshme nga ajo qe raporton vete kompania. Kostoja e rekuperueshme  është treguesi kyç, i cili përcakton detyrimet tatimore që kompania duhet të derdhë në buxhetin e shtetit, pasi te kete shklyer investimet e bera.  Në një mënyrë të thjeshtë, ai tregon pjesën e fitimit që ‘Bankers’ duhet të realizojë akoma për të shlyer të gjitha shpenzimet që ka kryer.
 
Sipas kontratës koncesionare, ‘Bankers’ fillon të paguajë tatim mbi fitimin në masën 50 për qind, vetëm pasi të ketë mbuluar të gjitha kostot që ka kryer për investime apo zëra të tjerë në vendburimin e naftës. Në bilancin financiar për vitin e kaluar, ‘Bankers’ pretendon se duhet të rekuperojë ende dhe 175 milionë dollarë të tjera nga shpenzimet e investimeve që ka kryer.

Por audituesit e AKBN-së kanë një tjetër pretendim. Sipas tyre kompania i ka mbuluar investime dhe duhet të kishte filluar të paguante tatim mbi fitimin që nga viti 2011. Dhe nëse pretendimet e audituesve të AKBN-së do të rezultojnë të vërteta, vetëm për vitin e kaluar ‘Bankers’ duhet të kishte paguar për buxhetin edhe 64 milionë dollarë taksa shtesë.  

Të dy palët kanë pretendimet e tyre. Në raportin financiar, ‘Bankers’ thotë se shifrat e raportuara nga ajo janë të sakta dhe se kompania nuk i ka rekuperuar të gjitha kostot e investimeve. Për këtë, ajo i ka dërguar AKBN-së edhe dokumentet e saj. Burime nga AKBN-ja thanë për Top Channel se pas shqyrtimit të pretendimeve që ka kompania ‘Bankers’ do të ketë një vendim përfundimtar, për këtë çështje.

Top Channel