Publikohet fotoja e heroit (të dështuar) të tragjedisë së “Germanwings”

07/04/2015 00:00

Për herë të parë, që prej tragjedisë së konsumuar në Alpet franceze, publiku ka pasur mundësinë të shohë fytyrën e pilotit hero, që u përpoq të ndalonte çmendurinë e Andreas Lubitz.

Çudia është se drejtuesit e “Germanwings”, në krah të kornizës me imazhin e Patrick Sondenheimer dhe anëtarëve të tjerë të ekuipazhit të “Airbus”-it A320, të rrëzuar më 24 Mars, kanë vendosur edhe foton e njeriut përgjegjës për dramën e dhjetëra familjarëve të viktimave, 27-vjeçarit Lubitz.

Kapiteni 36-vjeçar i avionit, baba i dy fëmijëve është përpjekur dëshpërimisht në minutat përpara përplasjes fatale, që të hapë derën e kabinës së mbyllur nga Lubitz. Thirrjet e tij “hape këtë derë të mallkuar”, të mbetura në regjistruesin e zërit, ishin një prej elementëve që ndihmuan hetuesit në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes.

Prej më shumë se një javë, në mediat sociale ka nisur një fushatë në kujtesë të përpjekjeve të Sondenheimerit për të shpëtuar 144 pasagjerët në bord, e kolegët e tjerë të ekuipazhit. “Harrojeni pilotin e dytë”, thuhet në njërin prej shënimeve, “dhe kujtoni Patrick Sondenheimerin, heroin e vërtetë të kësaj ngjarjeje dhe njeriun, i cili tentoi deri në fund të shpëtonte jetët që kishte në ngarkim”.

Pas fatkeqësisë së fundit ajrore në Europë, ku prej vitesh nuk regjistroheshin më ngjarje të tilla, shumë njerëz e kanë pare t’u shtohet frika nga udhëtimi me avionë. Ekspertët e shohin si të pakuptimtë përpjekjen për t’i qetësuar persona të tillë me fjalët “mos u shqetësoni, gjithçka është e sigurt” dhe thonë se, në njëfarë mënyre nuk ka zgjidhje tjetër, përveç se të jetohet me faktin se nuk ekziston një siguri 100 për qind, madje edhe kur bëhet fjalë thjesht për të kaluar rrugën.

Top Channel