Facebook dhe WhatsApp drejt integrimit

07/04/2015 00:00

Mund të jenë vetëm prova teknike për momentin, por kjo nuk na pengon që të sugjerojmë se në një të ardhme të afërt, Facebook dhe WhatsApp do të integrohen me njëra-tjetrën.

GeekTime, një faqe informative kushtuar risive teknologjike, sidomos në fushën e internetit dhe platformave sociale, ka publikuar një foto e cila, sipas kësaj faqeje, Facebook po eksperimenton integrimin me WhatsApp.

Provë konsiderohet shfaqja e ikonës “Send” (shqip Dërgo) në aplikacionin e Facebook për një version Android. Sipas GeekTime, “Send” do t’u mundësonte përdoruesve dërgimin e tekstit drejtpërdrejt nga Facebook drejt WhatsApp-it.

Për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e hamendësimeve, por me 700 milion përdorues aktivë në muaj prej ËhatsApp-it dhe 600 milion përdorues aktivë në ditë të Facebook Messenger, opsioni i ri do të përforconte akoma më tej dhe do të mbyste rivalët e Mark Zuckerberg në sektorin e dërgimit të mesazheve të drejtpërdrejta.

Zuckerberg bleu WhatsApp-in më 19 shkurt të vitit të kaluar për shumën rekord 19 miliard dollarë. Në atë kohë, Jan Koum, njëri prej themeluesve të WhatsApp-it deklaronte se nuk kishte asnjë plan për integrimin e shërbimit të mesazheve me Facebook. Gjasat janë që të gabohet.

Top Channel