UT, kundër ligjit për Arsimin e Lartë. Kule: Kapitulli 12, antikushtetues

07/04/2015 00:00

Senati i Universitetit të Tiranës ka kundërshtuar kapitullin 12 të ligjit të Arsimit të Lartë, i cili lejon krijimin e universiteteve publike të pavarura, pa detyruar pronarët të heqin dorë nga aksionet e tyre.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule saktësoi se ky është një kapitull antikushtetues dhe antikombëtar.

“Kapitulli i 12, i cili parashikon krijimin e një strukture, që ju deklaroj me përgjegjësi profesionale është antikushtetuese dhe antikombëtare, por edhe shkatërruese për sistemin e arsimit të lartë. Pra, krijimi dhe lejimi i një institucioni publik të pavarur, që konstatohet në këtë projektligj, është shkatërrues absolut për sistemin e arsimit të lartë”, u shpreh rektori i UT, Dhori Kule.

Para se ky ligj të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare, rektori Kule sqaroi se ky kapitull deformon tërësisht arsimin e lartë dhe zhvlerëson në themel diplomat e studentëve.

“Në qoftë se deri më sot kishte një status diferencues nga shoqëria, për formate diplomash të ardhura nga burime të ndryshme, ky merr statusin e të qenit publik, i pavarur dhe të gjithë e dinë. Unë nuk asnjëherë nuk kam gjetur ndonjë arsyetim mbrojtës nga ofruesit, por edhe vetë këta të fundit, komisioni në mazhorancë nuk ka qenë dakord me këtë”, shtoi më tej rektori Kule.

Mësohet se pjesa më e madhe e ekspertëve në Komisionin e lartë kanë votuar kundër këtij kapitulli, i cili mundëson krijimin e universiteteve të pavarura publike, duke marrë fonde publike dhe private. Kjo do të thotë se, nëse një universitet privat do të kthehet në publik të pavarur, pronari ia lë aksionet në përdorim universitetit, por nuk ia dhuron atij, duke hequr dorë nga çdo e drejtë. Kjo deformon sistemin dhe rëndon mbi universitetet publike, të cilat bazohen në autonomi.

Top Channel