Rakipi: Dështimi me Frrokun, të dalin përgjegjësitë. Duhet strukturë për vlerësimin e punës së Prokurorisë

07/04/2015 00:00

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, në një intervistë për Top Channel e sheh me shqetësim dështimin e proceseve gjyqësore të mëdha.

Dështimin e Prokurorisë me vendimin për pafajësi të Arben Frrokut nga kërkesa ekstreme për burgim të përjetshëm, ish-Prokurori i Përgjithshëm e sheh si pasojë e mosfunksionimit të hetimit paraprak të vendngjarjes dhe të bashkëpunimit polici–prokurori, sidomos për këtë ngjarje.

“Nuk duhet të kontaminohet procesi që në këtë fazë, kjo është e para. E dyta është që shpesh vendet e këtyre ngjarjeve konsiderohen si pelegrinazhe për t’u vizituar dhe atje ndoten provat edhe për këtë arsye. Një tjetër çështje është edhe devijimi jo pa qëllim i hetimeve në pista të gabuar në të cilat harxhohet mjaft energji dhe financa dhe përfundimet pastaj janë të gabuar. Ka një kompleks gjërash që lidhet me çelësin e bashkëpunimit prokurori-polici dhe autoritetin e mbi hetimin. Por shihet që vit pas viti ky mekanizëm sa vjen e shkëputet. Ndarja është e dukshme dhe bëhet urgjente për të ndërhyrë, sidomos në këtë pikë”, thotë Rakipi.

Sipas tij është ende herët që të kërkohen përgjegjësit e dështimit në këtë dosje, pasi duhet së pari të pritet vendimi i Apelit. Megjithatë, sipas Rakipit parimisht duhet të ketë marrje përsipër të përgjegjësive.

“Përgjegjësia profesionale është e para. Ata që janë marrë konkretisht me paraqitjen e kësaj çështjeje duhet të lënë detyrën. Kjo është kategorike, përndryshe përndryshe askush nuk do të ndjejë më përgjegjësi në të ardhmen lidhur me dështimet apo qoftë edhe me ndryshimet e rëndësishme që mund t’i ndodhin çështjes”, thotë ish-kryeprokurori.

Edhe pse zoti Rakipi është i prirur të mos komentoje vendimin e Shkallës së Parë pasi ajo është mbi palët. Kritikat i adresohen prokurorisë.

“Persona që sipas ligjit duhet të kërkojnë llogari për këtë çështje, shoh që nuk ekzistojnë, në kuptimin institucional të fjalës. Nuk ka akoma një pozicion të qartë për institucionin që mund t’i kërkojë llogari prokurorisë për cilësinë e punës”, shton Rakipi.

Ndërsa është në pritje të vendimit të zbardhur të Gjykatës, Prokuroria i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda që të bashkangjisë në dosjen e vendimit, edhe versionin audio të lexuar në sallë nga gjyqtarët.

Me sa duket Prokuroria i trembet faktit se Gjykata mund të shtojë në vendimin e zbardhur argumente që nuk janë lexuar në sallë ditën e dhënies së vendimit.

Top Channel