Një lokal tërësisht “i ricikluar”

07/04/2015 00:00

Nuk po ju lemë vend të fantazoni, sesi një kullesë makaronash apo rende kuzhine mund të kthehej në një abazhur. Apo sesi çizme llastiku për fëmijë, të shërbejnë si vazo lulesh. Por, po ju tregojmë sesi me mjete nga më të ndryshmet, qofshin enë kuzhine apo materiale të dala jashtë përdorimi, të mund të ndërtoni një mjedis të këndshëm.

Në fakt, kjo nuk është idea jonë, por e dy djemve të rinj që, nga dëshira për të pasur një punë të tyren, ndërtuan një lokal, mjedisi i të cilit është konceptuar që nga fillimi me materiale të riciklueshme. Ka vetëm pak ditë që lokali është hapur për klientët dhe ai është kthyer në një nga vendet më të frekuentuara të zonës, pikërisht për shkak të idesë krijuese.

“Na ka tërhequr që te pjesa e çadrave, por ka gjëra shumë të bukura e të veçanta”, thotë një kliente.

Vajzat e kanë pëlqyer shumë idenë e ndërtimit të një mjedisi, që më shumë sesa një lokali i ngjan një muzeu të vogël me pajisjet e kuzhinës së gjysheve.

“Vlerësoj gjithçka. Në lidhje me fotot, ato janë shumë të thjeshta dhe nuk kanë kushtuar. Këta djem kanë bërë diçka të veçantë dhe me kosto të ulët”, shprehet një tjetër.

Edhe pse duket pak ndryshe dhe shumë “trendy”, për habi të të gjithëve, ky mjedis ka mbledhur edhe shumë familjarë.

“Jam banori më i vjetër i lagjes. Kam parë shumë lokale luksoze, por ky është një klub i veçantë, i ngrohtë dhe idea e tyre është e pallogaritshme. Ata mblodhën që ditët e para klientelën, vetëm nga kurioziteti, sepse të gjitha materialet janë të riciklueshme. Kur asgjë s’hyn në punë, këta kanë arritur ta fusin në punë”, thotë Gjergji, banor i zonës.

Një ngrehinë fitimprurëse, e krijuar e gjitha me riciklim. Tashmë e provuar, që ishte një gjetje e suksesshme e Gjergjit, i cili u përkrah edhe nga miku i tij Mario. Por, duhet thënë se ky ishte i vetmi, që i shkoi pas idesë së shokut, pasi në fillim askush nuk besonte tek idea dhe nisma e Gjergjit.

“Kur më tregonin idetë Gjergji dhe Mario, më vinte për të qeshur. Më dukej budallallëk, por kur e pashë të realizuar u mahnita. Tani them e paskemi pas ne gabim, jo ata”, thotë një shok.

Top Channel