Kanë kaluar 7 ditë dhe asgjë s’ka ndryshuar për familjen Karamani. Ato që thoshte e zonja e shtëpisë ishin të vërteta, banesa e saj prej 7 ditësh është e pabanueshme. Më shumë se 10 persona, të dy familjeve, janë zhvendosur nga shtëpia. Arjana tregon se jeta e tyre është kthyer përmbys. Shtëpinë e vizitojnë vetëm nga larg dhe askush nuk guxon të hyjë brenda.

“Me atë tmerr që pash, nuk mund të fus më fëmijët. Atë shtëpi e kam bërë me vuajtje, por me tmerrin që pash nuk futem më, nuk jemi futur fare, as sot për çantën e gocës. Brenda kam të gjitha gjërat, ndërrohem te kunata”.

Janë vendosur përkohësisht te të afërmit e tyre dhe brenda kanë lënë gjithçka. Gropat e krijuara rreth shtëpisë kanë rritur frikën, se banesa mund të shembet në çdo moment.

Nëpër rrugët e fshatit shihen pak njerëz. Shiritat e sigurisë, që tregojnë se zona është e rrezikshme, janë vendosur kudo. Banorët e evakuuar rikthehen sa për të vizituar shtëpitë e tyre. Nikollaq Suku ka një ndër banesat më të rrezikuara. Një gropë e madhe është hapur në mes të oborrit, një gropë që zgjerohet çdo ditë.

“Që ditën e shpërthimit ka marrë plasaritjet, tashmë ka degraduar komplet. Mund të shembet në çdo moment, ndaj dhe po jetoj te vjehrri”, thotë Nikollaq Suku.

Në një tjetër zonë të fshatit është shtëpia e vjehrrit të zotit Suku, ajo është bërë streha e tyre e re.

“Jo si në shtëpinë tënde, por si i ardhur. Edhe pse jam dhëndër këtu, nuk jam i lirë në veprime, por i ndrydhur nga të gjitha anët”, thotë Nikollaq Suku.

Në këtë shtëpi tashmë jetojnë 6 persona. Lindita Suku është rikthyer në shtëpinë e prindërve, pas 25 vitesh martesë.

“S’kishim ku shkonim tjetër. Këyre iu prishëm qetësinë. Kemi marrë vetëm ndërresa dhe jemi shumë të mërzitur. Gatuajmë këtu, çfarë të bëjmë, na zuri halli”, thotë Lindita.

Megjithëse është me njerëzit e saj më të shtrenjtë, sërish mendja dhe zemra janë te shtëpia e saj.

“E kemi ndërtuar me gjak, nga emigracioni”, thotë Lindita.

Shpërthimet që ndodhën një javë më parë bënë të pabanueshme shumë banesa. Asgjë aty nuk është më e sigurt. Uji është i pakonsumueshëm.

Ndërkohë Mark Hodgson, zv.president i “Bankers Petroleum” tregon se gazi i dalë në ajër nuk ishte i rrezikshëm për jetën dhe se banorët do të kompensohen 100%.

“Po punojmë me komisionin e ngritur me Prefekturën, me qeverinë lokale dhe atë qendrore. Kemi sjellë ekspertë nga Britania e Madhe, që po ndihmojnë për të vlerësuar sa më shpejt gjendjen e këtyre shtëpive. Absolutisht do të kompnesohen 100%, për të gjitha dëmet e shkaktuara nga ky incident. Sapo të përfundojë raporti i verifikimit të dëmeve do të bëhet kompensimi. Preferenca jonë është që t’i paguajme drejtpërdrejt banorët e dëmtuar”, tha zv.drejtori Hodgson.

Në Marinzë ka edhe një kufi fundor se deri ku mund të shkojnë mediat për xhirime. Pusi që duket prej andej ende vazhdon aktivitetin e tij normal, ndërkohë që banorët e të gjitha shtëpive aty pranë janë evakuuar për shkak se zona nuk është më e sigurt dhe shtëpitë janë të pabanueshme. Të gjithë janë zhvendosur te të afërmit e tyre dhe luten t’u rikthehet jeta e mëparshme, duke u dëmshpërblyer për gjithçka u ka ndodhur dhe duke iu ndërtuar shtëpi me garanci për jetesën diku tjetër.

Top Channel