Kosovë, orteku bllokon rrugën Brezovicë-Qendra e Skijimit

07/04/2015 00:00

Si pasojë e reshjeve të mëdha të borës, që kanë rënë me intensitet të lartë dy ditët e fundit, të martën rreth orës 13:00, një ortek bore i madh ka bllokuar rrugën Brezovicë-Qendra e Skijimit.

Zëdhënësi rajonal i Policisë në Ferizaj, Agim Gashi tha për Top Channel se Policia e Kosovës po përkujdeset për sigurinë e qytetarëve, ndërsa bëri të ditur se rruga vazhdon të mbetet e bllokuar.

Ekipet e kompanisë për mirëmbajtjen e kësaj rruge, sipas togerit Gashi janë në vendin e ngjarjes, në përpjekje për të larguar ortekun e borës.

Bëhet e ditur se, përveç bllokimit të rrugës Brezovicë-Qendra e Skijimit, nuk ka ndonjë rrezik për banorët e zonës.

Policia e Kosovës ka vënë patrullat në këtë aks rrugor për të ndaluar qarkullimin e automjeteve, me qëllim shmangien e rrezikut nga ndonjë ortek tjetër i mundshëm.

Top Channel