Billy Holiday, legjenda e Jazz-it

07/04/2015 00:00

Njëqind vite më parë u lind një nga zërat më të bukur të muzikës Jazz, Billy Holiday. E lindur në Pensilvani më 7 Prill të 1915-s, me emrin e vërtetë Eleanora Fagan, ajo u rrit vetëm me të ëmën, pasi babai e braktisi që foshnje dhe kaloi një fëmijëri të vështirë.

U spostua në Nju Jork me nënën e saj dhe që në moshën 15-vjeçare nisi të këndojë në një klub nate të Harlemit. Tre vite më pas u zbulua nga producenti John Hammond.

Emrin e artit “Billy Holiday” e vendosi në nder të aktores së saj të preferuar, Billy Dove. Më pas nisi të bashkëpunojë me legjenda të Jazz-it, mes të tjerësh Artie Shaw e Lester Young. Me Young, ajo pati një lidhje të gjatë dashurie dhe ishte pikërisht ai, që i vendosi dhe nofkën Lady Day, me të cilën njihet botërisht sot.

Billy Holiday është nga këngëtaret e para me ngjyrë, që ka performuar me muzikantë të bardhë. Por gjithsesi, në lokalet ku këndonte i duhej të kalonte nga hyrja e rezervuar për njerëzit me ngjyrë dhe të mbyllej në dhomë deri në momentin e daljes në skenë. E kur ishte aty, ajo shndërrohej në fantastiken Lady Day, me një gardenjë në flokë, me mënyrën unike të të kënduarit dhe, siç e kanë përshkruar, me një zë që i buronte nga shpirti.

Ndër këngët më të famshme të saj janë “God bless the child”, kompozuar nga ajo vetë, “The man I love”, “Fine and mellow” dhe “The strange fruit”. Kjo e fundit, për shkak edhe të përmbajtjes së saj, u kthye në vitet ’40 në himnin e protestave të të drejtave civile.

Në 1947-n mori pjesë bashkë me Luis Armstrong në filmin “New Orleans”, ndërsa në 1956-n shkroi autobiografinë “Lady sings the blues”.

Përpos suksesit, jeta e Billy Holiday pati probleme për shkak të vartësisë së saj nga alkooli e droga. Ajo e humbi atë në moshën 44-vjeçare pas komplikimeve të një hepatiti. Por talenti i saj pati impakt tek artistë të tjerë, si gjatë jetës edhe shumë kohë më pas.

Këngëtarë të influencuar nga Billy Holiday janë Nina Simone, Janis Joplin. Grupi U2 i dedikoi këngën “Angel of Harlem”, ndërsa Diana Ross e interpretoi atë në filmin biografik, të bazuar në librin me të njëjtin titull, të vetë Billy Holiday.

Top Channel