Bashkimi “europian” i shqiptarëve, reagon kryeministri serb Vuçiç

07/04/2015 00:00

Serbia ka reaguar me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian dhe qasjen, që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi përmes një postimi në rrjetin social Twitter se, “I premtoj kryeministrit Edi Rama, se Kosova dhe Shqipëria nuk do të bashkohen kurrë në formën klasike. U lutem udhëheqësve shqiptarë, që të ndalen së provokuari qëndrueshmërinë në rajon”, citohet të ketë thënë ai, në postimin në Twitter.

Edhe zyrtarë të tjerë serbë thanë se, deklaratat e kryeministrit Rama “janë kërcënim për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.

Reagimet pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit Edi Rama, me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi të dy ata u nderuan me titullin “Qytetar Nderi i Ulqinit”. Në të, Rama tha se “nëse BE nuk i hap rrugën integrimit dhe liberalizimit të vizave, bashkimi do të ishte në rrugë klasike”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel