PD, akuza për impiantin e mbetjeve në Elbasan

07/04/2015 00:00

Departamenti i Mjedisit dhe ai i antikorrupsionit në PD zhvilloi këtë të martë një takim në qytetin e Elbasanit ku ka ngritur dyshime në lidhje me ndërtimin sipas rregullave të impiantit të djegies së mbetjeve urbane.

PD shtroi rreth 40 pyetje në lidhje me këtë investim. Jamarbër Malltezi, drejtues i Departamentit të Mjedisit në PD, foli për një aferë të madhe korrupsioni, e cila sipas tij, duhet të çojë para drejtësisë Ministrin e Mjedisit dhe të tjerë zyrtarë shtetërore. Madje Malltezi e krahasoi Elbasanin me Marinzën, kur tha se gazi kancerogjen që do të çliroje ky impiant do t’u shitet qytetarëve për gaz të ëmbël.

Edhe pse pranoi që problemi ndotjes se mjedisit për qytetin e Elbasanit është një problem i kahershëm, zoti Malltezi nuk iu pergjigj pyetjes së Top Channel se pse nuk u mor asnjë masë nga PD në 8 vite qeverisje për zgjidhjen e këtij problemi madhor.

Në këtë takim folën edhe deputetë të Elbasanit, anëtarë të këshillit bashkiak dhe anëtarë të komunës së Bradasheshit, vendi ku do të ndërtohet impianti.

Në fund u ra dakord që në mbledhjet e këshillit bashkiak të Elbasanit të kërkohet të dëgjohen përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe qeverisë.

Top Channel