Shpërthimi në Marinzë, MEI: Bankers neglizhoi

07/04/2015 00:00

Një javë pas shpërthimit të pusit në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë së bashku me AKBN-në dhe “Albpetrolin”, kanë hartuar raportin paraprak për shkaqet që çuan në atë ngjarje dhe masat që duhen marrë për parandalimin e përsëritjes së këtyre ngjarjeve.

Në raport evidentohen katërsh shkaqe kryesore. Sipas raportit në pus nuk ishte montuar linja dyte e mbrojtësve, megjithëse ishte parashikuar në projekt. Personeli i sondës menjëherë mbas krijimit të incidentit ka lejuar rritjen e presionit të gazit.

Në raport thuhet se, kompania në fillim kishte menduar se kishte të bënte me gaz hidrokarbur dhe kishte zbatuar të gjitha procedurat standarde për këtë fushë naftëmbajtëse, mirëpo nga matjet e kompanisë “Bankers Petroleum” doli se kishim të bënim me gaz karbonik, i cili nuk është gaz shoqërues i naftës që nuk është karakteristike në  këtë zonë naftëmbajtëse.

“Grupi i Punës vlerëson se kompania ‘Bankers Petroleum’ nuk ka studiuar paraprakisht historikun e puseve përreth të shpuar më përpara nga kompania ‘Albpetrol’, duke neglizhuar këtë informacion shumë të rëndësishëm”, thuhet në raport.

Sipas verifikimeve të kryera në terren, edhe solucioni argjilor izolues i përdorur në pusin ku ndodhi shpërthimi, nuk ishte në parametrat e duhura për të mbytur fontanën.

Në përfundim të verifikimeve, grupi i punës rekomandon pezullimin e të gjitha punimeve të kompanisë “Bankers Petroleum Albania” në sheshin e pusit P29 A, ku ndodhi shpërthimi, deri në momentin e rehabilitimit të sipërfaqeve të prekura.

Në të gjithë punimet e shpimit në të ardhmen, kompania “Bankers Petroleum” duhet të ketë në gjendje pune normale të dy linjat e preventorëve dhe se përpara se të fillojë shpimin e puseve në sheshet e miratuara, të marrë informacionin e duhur për historikun e puseve ekzistuese.

Agjencitë shtetërore propozojnë gjithashtu se “Banker Petroleum” duhet të zgjedh për nënkontraktor, kompani që plotësojnë kushtet teknike dhe teknologjike, pasi nënkontraktori aktual, sipas raportit, në këtë incident ka shfaqur mangësi teknike në zgjidhjen e situatës së krijuar.

Në fund, grupi i punës kërkon nga Kompania “Bankers Petroleum” që të vlerësojë situatën aktuale të shkatërrimit të nëntokës nga shpërthimi i ndodhur.

Top Channel