Meksikë, bandat e drogës vrasin 15 policë

08/04/2015 00:00

Pesëmbëdhjetë policë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur në një pritë në shtetin meksikan të Jalisco, kanë bërë të ditur zyrtarë në Meksikë.

Persona të armatosur sulmuan autokolonën e policisë, të cilët po udhëtonin në një autostradë drejt qytetit të Guadalajara. Komisioneri i Sigurimit, Alejandro Solorio, e quajti atë një “sulm frikacak”.

Zona ku ndodhi ngjarja e rëndë kontrollohet nga karteli i drogës i njohur si ‘Jalisco New Generation’, por Solorio nuk ka thënë nëse banda qëndronte pas sulmit.  ‘Jalisco Neë Generation’, konsiderohet si një prej karteleve më të fuqishme në Meksikë dhe është i përfshirë në trafik droge në shkallë të gjerë përgjatë Bregut Paqësor.

Raul Benitez, një ekspert i sigurisë në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës, tha se sulmi ishte planifikuar mësë miri. “Shumë persona të armatosur bllokuan autostradën dhe qëlluan mbi forcat e policisë”, tha ai për “Associated Press”.

Top Channel