SHBA, polici nën akuzë, për vrasjen e një afro-amerikani të paarmatosur

08/04/2015 00:00

Në Karolinën e Jugut, shteti amerikan ku dekada më parë gjallonte Ku Klux Klani, ndaj një oficeri të bardhë është ngritur zyrtarisht padia për vrasjen e një afro-amerikani të paarmatosur, i cili po përpiqej të largohej duke vrapruar.

Michael Slagger nuk do të ulej sot në bankën e të akuzuarve, po të mos ishte për videon e filmuar nga një kalimtar i rastit, e cila u kthye në provën dërrmuese në dorën e prokurorëve dhe rrëzoi të gjitha pretendimet e mëparshme të efektivit të policisë.

Viktima Walter Lamer Scott është qëlluar me disa plumba pas shpine. Filmimi tregoi qartë se ai, jo vetëm nuk kishte bërë rezistencë, por edhe nuk përbënte kurrfarë rreziku për policin.

Departamenti amerikan i Drejtësisë pritet të çelë një hetim mbi çështjen, që rindez polemikat e racizmit në Shtetet e Bashkuara.

“Kur e ke gabim, e ke gabim. Dhe kur merr një vendim të gabuar, nuk më intereson fare nëse je pas një mburoje, apo një qytetar i thjeshtë në rrugë. Ti, për veprimin e bërë duhet të mbash përgjegjësi”, tha Keith Summey, kryebashkiak i North Charleston.

Oficerët e policisë në Shtetet e Bashkuara qëllojnë e vrasin me qindra vetë në vit, por vetëm një numër shumë i vogël rastesh i sheh ata të vendosur përballë akuzave penale. Incidenti i fundjavës nisi nga një ndalim i thjeshtë i Scottit, për shkak të një poçi të thyer të makinës që ngiste. Pati një shkëmbim fjalësh, pastaj 50-vjeçari nis të vrapojë dhe polici e qëllon me disa plumba në shpinë.

Vëllai i viktimës, Anthony tha për “Washington Post” se Walter mund të ketë tentuar të largohej, pasi nuk kishte paguar detyrimet e fëmijëve, e për këtë edhe ishte prangosur më parë. Rrezikshmëria e tij, me sa duket, nis e mbaron këtu.

Familjarët e Scottit e përshëndetën ngritjen e akuzave ndaj oficerit të bardhë dhe falënderuan kalimtarin që dorëzoi videon, duke e cilësuar “një hero” për shkak të gjestit të tij, i cili sipas tyre ishte ndihmesa më e madhe e mundshme për të vënë drejtësinë në vend.

Top Channel