Koka: “Bankers” të rekuperojë dëmet

08/04/2015 00:00

Banorët e fshatit Marinzë e pritën me një formë proteste ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Ata kërkuan me ngulm zgjidhjen e menjëhershme të situatës dhe mospërsëritjen e katastrofave të tilla.

Banorët janë ankuar për ndotjen alarmante të shkaktuar në zonë, që nga gazi deri tek balta dhe argjila që ka mbuluar tërësisht tokat e tyre, por edhe shtëpitë.

Banorët thonë se banesat janë ende duke pësuar dëmtime nga zhytja e tokës.

Ministri Lefter Koka deklaroi se kompania “Bankers Petroleum” nuk është kontrolluar për 8 vjet me radhë për aktivitetin që kryen. Ai tha se nuk do të lejohet rifillimi i veprimtarisë së kompanisë nëse nuk plotësohen të gjitha kriteret e vendosura nga Ministria e Mjedisit.

“Shumë shpejt do të dëmshpërblejmë banorët dhe do të rehabilitojmë zonën. Për 8 vite këtu është punuar pa kontroll. Do të vazhdojmë me veprimet tona ligjore për të kërkuar rikthimin e zonës në parametra optimale”, theksoi Koka.

Inspektoriati i Mjedisit kishte njoftuar më herët se kishte ndëshkuar kompaninë “Bankers Petroleum” për shkak të problemeve me ndotjen e mjedisit.

Banorët e prekur nga shpërthimet e gazit i vizitoi këtë të mërkurë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bedri Mihaj, i cili nënvizoi nevojën e dëmshpërblimit të banorëve dhe të gjetjes së një zgjidhjeje përfundimtare të këtij problemi.

“Unë ngrita problemin e ndërhyrjes në këtë situatë të vështirë, sepse të prishen 50 apo 60 shtëpi nga një shpërthim është normale. Por është fatkeqësi për njerëzit që banojnë. Këtu duhet të ndërhyjë shteti, në bazë të kontratave që ka bërë me firmën, që të dëmshpërblehen dhe mundësisht të transferohen këta njerëz, sepse ato shtëpi të dëmtuara nuk mund të bëhen sërish për të jetuar, sepse një shpërthim tjetër mund të ndodhë nesër e pasnesër. Të gjenden strategji që këto probleme të zgjidhen përfundimisht në të ardhmen”, deklaroi Mihaj.

Top Channel