ARRSH: Ende të bllokuara dy korsi të Rrugës së Kombit

08/04/2015 00:00

Në përmbledhjen e publikuar sot mbi situatën në akset rrugore në vend, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se, ende dy korsi të Rrugës së Kombit janë të bllokuara, ndaj po shqyrton mundësinë e heqjes së masiveve shkëmbore me lëndë plasëse.

“Vazhdojnë të jenë të bllokuara dy korsi të autostradës, për shkak të masiveve shkëmbore që kanë rënë. Për eliminimin e tyre, specialistët dhe grupet e ngritura nga ARRSH po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të lëndëve plasëse”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
 
E njëjta situatë vazhdon edhe me shkarjet e ndodhura në Bushtricë dhe në aksin Krumë-Qafë Prush. Ndërsa në aksin Bajram Curri-Fierzë, 7 km nga qyteti Bajram Curri, dje ka ndodhur një shkarje e materialit të pjesës së sipërme të rrugës, që ka sjellë edhe dëmtimin e murit pritës të saj. Sipas ARRSH-së, për momentin qarkullimi në këtë aks është me një kalim, ndërkohë që vazhdon puna për pastrimin e aksit.
 
Situata në akset e tjera rrugore në vend rezulton pa probleme. Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon për respektimin e sinjalistikës përkatëse nga drejtuesit e automjeteve në rrugët që paraqesin vështirësi në qarkullim.

Top Channel