Pasi ka vendosur një kurorë në memorialin Luftës së Dytë Botërore në
Moskë, Kryeministri grek Aleksis Tsipras është drejtuar drejt Kremlinit
për takimin e tij me Presidentin e vendit Vladimir Putin, takim që
zhvillohet në vështrimin e rreptë të gjithë udhëheqësve të BE-së.

Në agjendë zyrtarisht janë marrëdhëniet Rusi-BE, bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë, investimeve dhe turizmit midis Greqisë dhe Rusisë, si dhe çështjet rajonale.

Takimi zhvillohet ndërsa Athina u ka dorëzuar partnerëve europianë një listë me reforma në shkëmbim të ndihmës ekonomike, ndërsa vendi nuk ka para, veçse për disa javë. Vetë grekët e konsiderojnë Moskën si një burim të mundshëm alternativ të ndihmës financiare, por edhe si përpjekje për të zgjeruar aleancat në këtë situatë të vështirë, pavarësisht se vizita e Tsipras në Rusi shihet me sy të rreptë nga europianët.

“Unë mendoj se zoti Tsipras bën shumë mirë që shkon në Rusi. Partnerëve nuk u pëlqen, por duhet të kuptojnë se nga momenti që nuk na japin fonde, që na kërcënojnë se do të na mbysin financiarisht, që do të mbyllin bankat tona, do na shterojne burimet dhe na godasin se përse nuk kemi para, atëherë mirë bën Tsipras që shkon në Rusi”, thotë një qytetar.

“Shumë mirë bën kryeministri që hapet. Të shkojë edhe përtej Atlantikut, edhe në Kinë dhe në Rusi e kudo tjetër. Pse kur e bën këtë zonja Merkel apo ndonjë kryeministër tjetër, ne kemi thënë gjë? Kështu është kjo punë, duhet një politikë në shumë anë”, thotë një tjetër qytetar.

Dy ditë më parë, vetë Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, ka paralajmëruar kryeministrin grek që të mos thyejë vijën e BE-së për sanksionet. Ndërsa e përditshmja gjermane ‘Bild’, në një artikull të saj të fundit, Presidentin Putin deh Kryeministrin Tsipras i cilëson si dy luftëtarë kundër kapitalizmit, që hartojnë një plan anti-Merkel. Ndërsa agjencia ‘Bloomberg’ e ka konsideruar si një poker të rrezikshëm politik.

Sipas analistëve, vështirësitë e vetë Rusisë e bëjnë të kufizuar ndihmën ekonomike që mund t’i ofrojë Athinës, por Moska – thonë ata -, mund t’i kërkojë Greqisë që si shpërblim për kredi të mundshme apo mbështetje politike, të vendosë veto tek sanksionet e BE-së ndaj Rusisë në lidhje me çështjen e Ukrainës.

Rusia thuhet se mund t’i ofrojë Athinës edhe tarifa më të ulëta të gazit natyror, me shkëmbim përqindje të caktuara në shfrytëzimin e aseteve shtetërore të Greqisë.  

Pavarësisht se vitet e fundit marrëdhëniet dypalëshe janë paksa të ngrira, dy vendet kanë lidhje të thella historike, kulturore, fetare, ndërsa bashkëpunojnë ngushtë në fushat e tregtisë, turizmit dhe energjisë.

Top Channel