PD: Në administratë emërohen persona me precedentë penalë

08/04/2015 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme emërimin në administratë
të dy personave, që sipas selisë blu, janë me precedentë të mëparshëm
penalë për veprat “ngacmim seksual” dhe “falsifikim pasaportash”.

Në një dalje për mediat zëdhënësja e PD-së,  Oriola Nebiaj duke iu referuar raportimeve në media akuzoi emërimin e Elton Bashollit në postin e doganierit në Korçë si dhe të Relis Mullës si specialist IT në Drjetorinë e Tatimeve në Korçë.

“Çfarë mund të ndodhë me një të denoncuar për përdhunim, të shpallur në kërkim nga policia në prill të vitit 2010? Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, një person i tillë bëhet doganier. Kjo ka ndodhur me Elton Bashollin në Korcë. Nëse bëni një kërkim në arkivë do t’iu dalin dhjetra lajme për këtë ngjarje të rëndë, ku një e re nga ky qytet e ka denoncuar pas dhunimit seksual, dhe ndaj tij ka filluar procedimi.Sot është doganier i Edi Ramës dhe Ilir Metës, gjë që e tregon edhe ai vetë në Facebookun e tij. Po me një të arrestuar në Korcë, në korrik të vitit 2011, për falsifikim pasaportash, për paisje me këtë dokument të personave që kishin probleme me drejtësinë në vendet e BE-së, çfarë mund të ndodhë? Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, ai bëhet specialist i IT-së, në Drejtorinë e Tatimeve të Korçës.Relis Mulla u arrestua dhe ndaj tij nisi procesi hetimor në korrik të vitit 2011, pasi kishte prodhuar dhjetra pasaporta përmes falsifikimit të të dhënave, për persona me precedentë në Europë. Sot, falsifikatori i pasaportave është specialist i IT, në zyrën e Tatimeve, pikërisht ay ku janë të dhënat konfidenciale të qytetarëve dhe bizneseve”, thuhet në reagimin e PD-së.

Top Channel