Ja dinamika e vrasjes së trefishtë në Vlorë; shkak, grindja në kazino

08/04/2015 00:00

Policia e Vlorës ka zbardhur sot në mënyrë të detajuar dinamikën e masakrës së shënuar dje, në lagjen “Çole”, në qytetin e Vlorës, ku pas përplasjes së armatosur mes dy grupeve humbën jetën 3 persona dhe u plagos një tjetër.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta dhe konkretisht:

Më datë 07.04.2015 rreth orës 04:00 të mëngjesit, shtetasi Xhuliano Lutaj ka qenë në shoqërinë e shokut të tij, shtetasit Albi Limaj në një lokal lojërash fati (kazino), në afërsi të portit, kur është konfliktuar me shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët, të pajisur me armë zjarri, kanë ofenduar dhe dhunuar shtetasin Xhuliano Lutaj. Pas këtij momenti, shtetasi Xhuliano Lutaj i rrëfen gjithçka ndodhi shtetasit Albi Limaj, i cili nuk ndodhej me të gjatë konfliktit.

Nëpërmjet shtetasit Albi Limaj, vihet në dijeni të këtij fakti edhe shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili kishte shoqëri me shtetasit Xhuliano Lutaj dhe Albi Limaj. Të nesërmen, ai vendosi të sqarohej me shtetasit Ardi Velaj dhe Akil Hasanaj, të cilët ndodheshin në lokalin “Adore” duke pirë kafe.

Disa orë më vonë, së bashku me shtetasit Aleksandër Llanaj, Albi Limaj, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, i cili drejtonte automjetin tip ‘BMW X5’ me targa AA 323 AO, shkojnë në afërsi të lokalit “Adore” për të takuar shtetasit Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj.

Nga automjeti tip ‘BMW’ zbresin shtetasit Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj, të cilët sapo janë takuar me shtetasit  Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, kanë nisur konfliktin, i cili ka degraduar me përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë kanë mbetur të vdekur shtetasit Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj, si dhe është plagosur rëndë shtetasi Aleksandër Llanaj, i cili është transportuar për në spitalin rajonal të Vlorës dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor. Ndërsa shtetasi Bertil Alliaj, gjatë shkëmbimit të zjarrit, ka zbritur nga automjeti ‘BMW X5’ dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”.

Top Channel