Në Marinzë ka gaz metan. Drejtuesit e Shëndetit Publik: E konstatuam në banesa

08/04/2015 00:00

Gazi i çliruar në Marinzë nuk është dioksid karboni, ashtu siç pretendon kompania naftënxjerrëse “Bankers Petroleum”. Kreu i Shëndetit Publik në Fier, Kreshnik Tërnova, i ftuar në programin “Wake Up” në Top Channel, ka theksuar se rezultatet paraprake të analizave të fundit dëshmojnë për gaz metan.

“Situata është shumë e rënduar nga pikëpamja e gazit, pasi me shpërthimin e këtyre dy fontanave ndihet era e gazit metan. Jo CO2, jo gaz karbonik, është gaz metan. Ne kemi bërë edhe analizat. Deri dje na kanë ardhur përgjigjet e analizave. Në disa shtëpi ne kemi gjetur gaz metan. Që nga ai moment, i kemi kërkuar menjëherë Institutit të Shëndetit Publik që të bëjnë një matje më profesionale dhe të dalin në konkluzione për shëndetin e banorëve të zonës”, theksoi Tërnova.

Sipas tij, banorët e zonës së Patos-Marinzës aktualisht nuk kanë fenole në gjak.

Simptomat e tyre janë marrje mendsh, dhimbje fyti, inflamacion të syve e dhimbje barku, ndërsa po vazhdon monitorimi i shëndetit të banorëve. Po sipas Tërnovës, është fat që nuk ka pasur viktima nga ky incident.

Top Channel