Prokuroria kërkon 35 vite burg për vjedhësit e BSH-së

08/04/2015 00:00

Procesi gjyqësor ndaj dy prej të akuzuarve kryesorë për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia po shkon drejt fundit.

Prokuroria e Tiranës shpalli konkluzionet pas gjykimit të shkurtuar për
dy protagonistët kryesorë, duke kërkuar që gjykata të shpallë fajtor
Ardian Bitrajn dhe ta dënojë me 20 vjet burgim.

Ndërkohë, për
bashkëpunëtoren e  tij, Mimoza Burzian Prokuroria kërkoi 15 vjet burgim.
Prokurori deklaroi që të zbritet nga ky dënim një e treta për shkak të
aplikimit të gjykimit të shkurtuar, procedure  që është ndjekur edhe për
10 ish-nëpunësit e parë të dënuar më herët me 56 vite heqje lirie në
total.

Prokurori tha se për dënimin e dy ish-përgjegjësve në
arkën stok të Thesarit të Shtetit duhet të kihet parasysh  rrezikshmëria
e veprës, pasoja e shkaktuar si edhe kohëzgjatja në vite e kryerjes së
saj.

Gjatë procesit Bitraj e ka pohuar vetë vjedhjen e 713
milionë lekëve, por për prokurorinë këtë vjedhje ai e ka realizuar në
marrëveshje me kolegen Bruzia.

“E pandehura Bruzia i ka krijuar
kushtet dhe akses të pandehurit Bitraj për të vazhduar veprimtarinë e
tij kriminale”, tha prokurori, Ndini Tavani.

Pas pretencës gjykata caktoi datën 22 prill për të dëgjuar mbrojtjen e të akuzuarve.

Top Channel