Kontroll në kufirin britanik, edhe kur largohesh do të verifikohen pasaportat

08/04/2015 00:00

Në bazë të ndryshimeve ligjore në ligjet e emigracionit të vitit të kaluar nga sot, të gjithë shtetasve që do të largohen nga Britania e Madhe do u kontrollohet pasaporta nëpër porte, aeroporte apo tunele që shërbejnë si pika kalimi kufitar me shtetet e tjera, si në eurotunelin nëndetar që lidh Britaninë me Francën.

Sipas autoriteteve, këto kontrolle do të forcojnë sigurinë e kufijve të Britanisë duke theksuar se verfikimet do të bëhen në mënyrë graduale, pa shkaktuar radhë të gjata nëpër pikat e kalimit kufitar, tokësor apo ajror. Deri më sot, në Britani nuk kontrolloheshin pasaportat kur largoheshe nga vendi nga autoritetet e emigracionit, ndërkohë që këto kontrolle kanë qenë dhe mbesin sa herë hyn në Britani nga jashtë.

Kjo masë synon të forcojë kontrollet dhe të rrisë informacionin për personat që largohen, kryesisht për emigrantët apo elementët kriminalë dhe terroristë. Ka pasur shumë raste, mes tyre edhe shqiptarë të kërkuar, që kanë mundur të largohen nga territori britanik pasi kanë kyer vepra penale ose kur kanë qenë të kërkuar nga autoritetet britanike të sigurisë. E njëjta gjë vlen edhe me elementët e dyshuar si terroristë. Autoritetet britanike kërkojnë të sigurojnë të dhëna edhe për personat që do të duhet të largohen nga Britania kur u kërkohet ose u ka skaduar viza e qëndrimit për të pasur një panoramë më të qartë të të huajve që jetojnë në të zezë.

Top Channel