Presidenti Nishani viziton qendrat me popullsi arbëreshe në Kalabri

08/04/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani, në ditën e parë të vizitës së tij në Kalabri, vizitoi një sërë vendbanimesh të hershme arbëreshe. Ai u takua dhe përcolli mesazhe tek të zgjedhurit e institucioneve qendrore e vendore, përfaqësues të institucioneve fetare e të shoqërisë civile arbëreshe.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, fillimisht z. Nishani u ndal në Firmo, një ngulim arbëresh me tradita të hershme e ku, sikurse u shpreh Presidenti, duhet të vijohet me mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët dhe brezat e rinj.
 
Ndalesa e radhës ishte qendra e Eparkisë në Lungro, ku në një takim të ngrohtë e vëllazëror, Kreu i Shtetit u prit nga Peshkopi Donato Oliverio dhe autoritetet qendrore e vendore të Prefekturës së Kozencës.
 
Presidenti Nishani nënvizoi pritjen e ngrohtë e vëllazërore që gjeti në Kalabri, dhe shprehu mirënjohjen e madhe për trashëgiminë shekullore që arbëreshët kanë ruajtur në shekuj. “Arbëreshët e Italisë janë simbol i identitetit europian të kombit shqiptar. Shqiptarët, kudo që ndodhen sot, në Europë, Amerikë apo Australinë e largët i janë mirënjohës trashëgimisë arbëreshe në shekuj. ‘Arbëreshët e Italisë’, përmes figurave të shquara, si Jeronim De Rada e Zef Serembe i kanë dhënë Europës në kohën që jetuan e punuan atë çka janë shqiptarët. Arbëreshët janë dhe do të mbeten urë e fortë e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë. Të dëgjosh të flitet shqip sot në Kalabri është si të jesh në Arbërinë e dikurshme”, tha ndër të tjera Nishani.
 
Takimet vijuan në mjediset e komunës së Lungros të mbushur me banorë, të cilët përcollën me duartrokitje dhe këngë arbëreshe fjalën e Presidentit të Shqipërisë si dhe me ceremoninë e dekorimit me titullin ‘Mjeshtër i Madh’ të këngëtares Anna Stratigò.
 

Top Channel