Brukseli po ndjek me nervozizëm pokerin politik të Athinës, sipas
‘Deutsche Welle’ që sqaron se, Komisioni i BE-së nuk mund të komentojë
lidhur me vizitat shtetërore të kryetarëve të qeverive të vendeve
anëtare, edhe pse mund te jenë kaq të padëshirueshme, siç është udhëtimi i
Aleksis Tsipras në Moskë.

Kështu që një ditë para saj çdo gjë u përqëndrua në temën e frutave: sikur Greqia të arrijë të anashkalojë embargon e tregtisë për produktet bujqësore, që qeveria ruse vendosi vitin e kaluar në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të BE-së, çfarë do të thoshte Komisioni?

Athina, për çdo rast, është paralajmëruar të mos dalë jashtë linjës, përsa i përket qëndrimit ndaj Rusisë. Gazeta ruse “Kommersant”, shkruante para vizitës së kryeministrit grek se duhet biseduar për uljen e çmimit të gazit dhe për kreditë, që mund të jepen vetëm në këmbim të investimeve.

Të vetme, as çështja e frutave dhe as ajo e gazit, nuk mjaftojnë për të tronditur bllokun. Por Tsipras ka punuar paraprakisht për të demonstruar potencialin kërcënues të vizitës së tij në Moskë. Greqia mund të jetë një hallkë lidhëse mes Rusisë dhe Perëndimit dhe sanksionet e BE-së nuk sjellin asgjë.

“Qeveritë e mëparshme greke nuk kanë bërë më të mirën për të penguar sanksionet, për shkak të krizës në Ukrainë”, i tha ai agjencisë ruse të lajmeve, Tass. Një shenjë e qartë se ai mund të bënte ndryshe, kur në qershor në samitin e BE-së do të duhet të vendoset zgjatja e këtyre sanksioneve. Si për t’u bërë pritë lëvizjeve të Tsiprasit në Moskë, Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz tha për gazetën “Hannoversche Zeitung”, se kreu i ekzekutivit grek nuk duhet t’i zhgënjejë partnerët në BE dhe nuk është e pranueshme, që në këmbim të ndihmës ruse, ai vë në rrezik qëndrimin unik të bllokut europian në politikën ndaj Moskës.

Top Channel