Kosovë, operatorët telefonikë nuk kanë kapacitete për 3G-në

08/04/2015 00:00

Autoriteti Rregullativ i Telekomunikimeve Elektronike dhe Postare, ARKEP, ka bërë të ditur se shërbimi 3G dhe 4G i telefonisë së lëvizshme në Kosovë nuk mund të ofrohet si shërbim cilësor nga asnjë operator në Kosovë.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, Ekrem Hoxha ka konfirmuar se operatorët mobilë të Kosovës kanë leje për shërbimin e gjeneratës së re 3G dhe 4G, mirëpo sipas tij, brezi frekuencor aktual nuk u lë mundësi që të kenë shërbimin e dëshirueshëm.

Kryetari i ARKEP-it tha se Autoriteti që ai drejton që nga 12 marsi u ka krijuar mundësi opreatorëve që të kërkojnë resurset shtesë.

“Nuk mund të themi se është mashtrim për arsye se shërbimi ekziston. Shërbimi ofrohet në nivel vendi dhe informatat publike se ku ka akses në të mund të gjendet tek faqet zyrtare të operatorëve. Rregullatori, me njësitë e tij profesionale që bëjnë monitorimin, e ka evidentuar mbulueshmërinë në nivel vendi tek të dy operatorët, por e theksojmë se, për të ofruar një shpejtësi më të dëshirueshme dhe më të mirë duhet të vendosen resurse shtesë frekuencore dhe kjo rrugë, kjo procedurë, është e hapur tashmë”, deklaroi Hoxha.

Zyrtarë për informim nga dy operatorët e licencuar të telefonisë së lëvizshme kanë sqaruar se kanë aplikuar për brezin e ri frekuencor në Autoritetin Rregullator dhe tani janë në pritje të zgjerimit të kapaciteteve.

Zëdhënësi i Postë-Telekomit të Kosovës, Menduh Abazi tha se i kanë bërë të gjitha testimet për lëshimin në treg të rrjetit 4G, por nuk i kanë lëshuar për mungesë të brezit frekuencor.

Para disa muajsh, operatorët e telefonisë së lëvizshme filluan të shisnin pako të internetit me rrjet 3G, por cilësia e tij, krahasuar me vendet e rajonit, rezultoi më e dobët pikërisht për shkak të mungesës së brezit frekuencor.

Top Channel