Kontrolli i fluksit në Kapshticë, takim mes dy policive kufitare

08/04/2015 00:00

Në prag të festës ortodokse të Pashkës, ku qindra emigrantë vijnë në vend për të festuar pranë familjeve të tyre, konsullja jonë në Selanik, Pavlina Evro Ylli, e shoqëruar nga përfaqësues të kufirit kanë zhvilluar një takim dypalësh në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Me qëllim për t’i paraprirë problemit të radhëve të gjata, që krijohen çdo vit në vigjilje të Pashkës, autoritetet tona i kanë kërkuar palës greke, që të shtojnë personelin dhe sportelet.

Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura, në zyrat e Doganës greke, palët kanë dialoguar për vendosjen e një kontakti ditor të vazhdueshëm për çdo çështje të ndodhur me shtetasit shqiptarë në këtë pikë kufitare.

“Ky takim, kryesisht ishte për festën e Pashkëve, por lidhur edhe me probleme të tjera që ka në kufi. Ne takimet i zhvillojmë të vazhdimësi, kemi takime çdo javë lidhur me problemet e kalimit të shtetasve tanë, apo me problemet që mund të hasin shtetasit tanë në kufi, ndaj dhe këto takime nuk do të rreshtin. Edhe gjatë sezonit turistik do të kemi takime të tjera”, u shpreh Dashamir Spaho, drejtor i Kufirit dhe Migracionit.

Çdo vit, mijëra emigrantë kthehen në atdhe për të kremtuar festën e Pashkës ortodokse, ndërkohë që ka një mbingarkesë në përpunimin e të dhënave dhe dokumentacionit, ku shpesh shkak i vonesave bëhet numri i reduktuar i sporteleve, me të cilat punon pala greke.

Top Channel