Ekstradohet nga Italia i dënuari me 24 vjet burg për vrasje

08/04/2015 00:00

Një i dënuar me 24 vite burg për vrasje me paramendim u ekstradua këtë të mërkurë nga Italia në Shqipëri.

Zyra e Interpol Tiranës bëri të ditur se “u krye ekstradimi nga Roma drejt Tiranës i shtetasit shqiptar, Klodian Gjeta, 29 vjeç”.

Gjeta, sipas burimeve të policisë lokale, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2006, Gjykata e Bulqizës e ka dënuar atë me 24 vjet burgim, për “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajte pa leje”.

Policia ka publikuar gjithashtu edhe një përmbledhje të ngjarjes për të cilën është dënuar 29-vjeçari.

“Më 14 mars të vitit 2006, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur karburant ‘Lleshi’, në fshatin Okshatinë të Bulqizë, shtetasi Klodian Gjeta, ka vrarë me armë zjarri shtetasin me inicialet K. K. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një grindjeje që autori dhe viktima kishin pasur disa orë përpara krimit, për të drejtën e kalimit me automjet, në një rrugë të ngushtë të fshatit Podgorcë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Gjeta u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Top Channel