Studentët, kundër ligjit për Arsimin e Lartë. Rifillojnë protestat

08/04/2015 00:00

Një grupim studentor, i quajtur “Lëvizja për universitetin”, ka vijuar protestën kundër reformës në Arsimin e Lartë.

Gjatë tubimit nga Korpusi deri te Kryeministria, studentët kanë kërkuar nga qeveria të rrisë fondet ndaj Arsimit të Lartë Publik dhe të ulë tarifat ndaj studentëve.

Senati i Universitetit të Tiranës, por edhe “Lëvizja për universitetin” bashkohen në një pikë: në kundërshtimin e kapitullit të 12 të këtij ligji.

“Sot që universitetet publike kanë 93% të studentëve, dhe asnjë nga këto institucione nuk ka kërkuar këtë transformim, si justifikohet kjo lëvizje e Ministrisë? Ne mendojmë se kjo lëvizje bëhet thjesht që universitetet private në krizë të përfitojnë fonde publike. Fondet publike edhe sot janë të pamjaftueshme për pagat e universitetarëve. Unë aktualisht jam pedagog dhe 2 paga e gjysmë, dhe si unë edhe shumë pedagogë të tjerë, i marrim nga studentët. Kjo është e papranueshme dhe i vendos marrëdhëniet student-pedagog jo bazuar mbi marrëdhënien e dijes dhe interesit të përbashkët, por si të ishin klienteliste”, tha pedagogu Jani Marka.

Studentë, të cilët morën pjesë në këtë protestë, kërkojnë që qeveria të sigurojë arsim publik falas për të gjithë.

Komisioni për Arsimin e Lartë ka punuar gati një vit për hartimin e ligjit të Arsimit të Lartë, i cili do të diskutohet nen për nen në Komisionin e Medias dhe Arsimit, para se të kalojë për miratim në Parlament. Universiteti i Tiranës është shprehur unanimisht kundër kapitullit që lejon kalimin e krijimit të universiteteve publike të pavarura.

Top Channel