Basha: Amendamente në Kuvend për uljen e çmimeve

08/04/2015 00:00

Partia Demokratike publikoi shifra tronditëse të mosrealizimit të të ardhurave në 2 muajt e parë të vitit. Kreu i opozitës, Lulzim Basha renditi disa zëra të buxhetit, ku gjithçka ishte qindra milionë lekë më pak se parashikimi dhe në disa raste shifra ishte edhe më e ulët se ajo çka ishte mbledhur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“E mbajnë mend shqiptarët se si mburreshin kur erdhën në krye të qeverisë, se nuk do mateshin me qeverisjen tonë, por me veten e tyre. Tani nuk e thonë më. Njerëzit e kanë kuptuar se Rama-Meta nuk e ndalin dot rrënimin, nuk e kthejnë dot rrotën e rënies së ekonomisë. Keq e më keq do të bëhemi”, deklaroi Basha.

Megjithëse nuk beson se kjo qeveri mund të ndryshojë për mirë gjendjen ekonomike, kreu i opozitës i bëri një thirrje të fundit mazhorancës që të pranojë dy amendamentet e demokratëve për rikthimin në të njëjtin nivel të taksës së qarkullimit, për të ulur çmimin e naftës, si dhe uljen me 14 për qind të TVSH-së për energjinë, një premtim elektoral i Partisë Socialiste. Bashkë me këto, opozita ka edhe një propozim të ri për qeverinë.

“Nesër, bashkë me pranimin e amendamenteve tona për uljen e çmimeve të naftës dhe energjisë, të nisim punën për një paketë masash për nxjerrjen e ekonomisë nga kriza ku e ka futur vendin rritja e taksave, paligjshmëria dhe arroganca e qeverisë Rama-Meta”, theksoi Basha.

Sipas Partisë Demokratike, kjo qeveri ka superprodhim vetëm në varfëri dhe në krim. “Një qeveri që ka ngritur krimin në sistem dhe që është bërë njësh me të nuk mund të ndërtojë kurrë një ekonomi të shëndoshë”, tha Basha.

Duke folur për fshehjen e urdhërit të Interpol Brukselit për disa muaj për deputetin Mark Frroku, Basha e cilësoi atë si çështjen që akuzon direkt Edi Ramën për pengimin e drejtësisë për llogari të qeverisjes mafioze me Ilir Metën. “Edi Rama provoi sërish se çfarë është e turpshme, e ndotur dhe kriminale në qeverinë e tij vjen prej tij dhe ka bekimin e tij”, u shpreh Basha.

Për herë të parë, kreu i opozitës përfshiu në cilësimin si “mafioz” edhe vendimin e gjykatës për shpalljen të pafajshëm të vëllait të deputetit Mark Frroku.

“Ky vendim i njollosur nga zhvlerësimi i dëshmive, zhdukja e dëshmitarëve, publikimi mafioz i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur dhe lidhjet familjare të gjyqtarit kryesor me PS është kuptuar nga qytetarët pa dallim për atë çfarë është: një tjetër arritje e mafias, i futjes së saj në kupolën e shtetit, një tjetër dorëzim i sovranitetit demokratik në duart e mafias të bërë njësh me qeverisjen e dyshes Rama-Meta”, shtoi Basha.

Top Channel