Pranverë në raportet greko-ruse, Tsipras: Jemi kundër sanksioneve

08/04/2015 00:00

“Greqia nuk erdhi si një lypëse në Moskë”- ka deklaruar kryeministrin grek Aleksis Tsipras menjëherë pas takimit të shumëpërfolur me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, që zgjati më shumë se dy orë e gjysmë dhe u mbajt në një klimë të ngrohtë.

“Ne kemi të drejtë të lidhim marrëveshje dypalëshe energjetike, ashtu siç bëjnë edhe vendet e tjera” – ka shtuar ai duke theksuar se në anijen e Bashkimit Europian jemi të gjithë udhëtarë të ligjshëm dhe nëse fillojmë të hedhim njëri-tjetrin në det, anija do të përplaset mbi shkëmbinj.

“Ne po freskojmë marrëdhëniet greko-ruse duke sjellë pranverë mbi to” – ka thënë Tsipras duke theksuar se Athina ka të drejtë të ushtrojë një politikë shumëdimensionale.

“Qëllimi i vizitës sime është qe së bashku të përpiqemi për të dhënë një vrull të ri në marrëdhëniet tona, në dobi të të dy popujve,por edhe në dobi të sigurisë e të stabilitetit në rajon”, tha kryeministri grek.

Tsipras ka thënë gjithashtu se Greqia nuk është dakort me sanksionet ekonomike të BE-së ndaj Rusisë për çështjen e Ukrainës dhe se e ka shfaqur këtë në organet e unionit.

Nga ana e tij Putin ka sqaruar se Athina nuk ka bërë kërkesë për ndihmë ekonomike, por Rusia mund të ofrojë kredi për projekte të mëdha të përbashkëta në të ardhmen.

“Pala greke nuk na ka parashtruar ndonjë kërkese për ndihmë. Ne diskutuam bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke përfshirë mundësinë e zhvillimit të projekteve të mëdha të energjisë. Por nëse ato gjatë zbatimit do të sjellin të ardhura në Greqi, atëherë kjo do të thotë se këto të ardhura mund të përdoren për të paguar kreditë për të cilat është folur sot”, tha Putin.

Putin ka shprehur  gjithashtu dëshirën e kompanive ruse për të marrë pjesë në privatizimet e Greqisë dhe ka shfaqur interesin e tyre për blerjen e portit të Selanikut. Ai ka vënë në dukje rëndësinë e gazit rus për Greqinë dhe Europën, por ka theksuar nga ana tjetër se Moska nuk  mund të përjashtojë Greqinë nga masat e saj kundër embargos, një prej synimeve që kishte që në fillim pala greke.

Dy udhëheqësit kanë nënshkruar një memorandum të përbashkët veprimesh për dyvjeçarin e ardhshëm, një rezolutë për 70-vjetorin e fitores mbi fashizmin, si dhe një program vjetor bashkëpunimi kushtuar Greqisë dhe Rusisë në 2016.

Pas konferencës së përbashkët është shtruar një drekë në të cilën përveç përfaqësuesve politikë të të dy vendeve kanë marrë pjesë edhe shefi i përgjithshëm i “Gazprom”, Aleksei Miler dhe kreu i përgjithshëm i hekurudhave ruse, Vladimir Jakunin.

Top Channel