OSBE, projekt për edukimin e grave rome dhe egjiptiane si zgjedhëse

08/04/2015 00:00

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi këtë të mërkurë fillimin e një projekti, që synon edukimin e zgjedhëseve rome dhe egjiptiane, në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Mbi 140 gra pritet të marrin pjesë në shtatë trajnime në të tërë vendin, trajnime që do të përqendrohen te tema që lidhen me të drejtën e votës, votimin familjar dhe blerjen e votës.

Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2013 në Shqipëri konstatoi se komunitetet jo të favorizuara, si ato rome dhe egjiptiane, sipas raportimeve, u bënë më shpesh objekt i praktikave të jashtëligjshme, duke përfshirë blerjen e votës, të rënduara nga praktika e shumëpërhapur e votimit në bllok në këto komunitete.

“Gratë rome dhe egjiptiane nuk kanë qenë të përfaqësuara në nivelin e duhur në zgjedhje, as si zgjedhëse, as si kandidate. Zhdukja e diskriminimit dhe përkrahja e politikave që u japin mundësi të barabarta në të tërë aspektet e jetës – përfshirë pjesëmarrjen në jetën publike dhe politike – janë mjete kryesore për të siguruar integrimin e plotë të romëve dhe egjiptianëve në shoqërinë shqiptare”, u shpreh Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig.

Raunig mirëpriti ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, që përcaktojnë një kuotë gjinore prej 50 për qind, në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, si dhe refuzimin e listës, nëse partitë s’e zbatojnë këtë kriter. “Këto ndryshime historike janë një shans i artë për gratë në Shqipëri, përfshirë ato rome dhe egjiptiane, për t’u bërë pjesë e institucioneve vendimmarrëse vendore dhe për të kontribuar në jetën e komuniteteve të tyre”, tha ai.

Projekti për edukimin e grave rome dhe egjiptiane si zgjedhëse zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me fonde të qeverisë së Australisë. Ai mbështetet në rezultatet e projektit të OSBE/ODIHR-it “Praktikat më të mira për integrimin e romëve”, që u zhvillua në vitet 2012-2013 në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel