Larvat në kafkë i shpëtuan jetën

08/04/2015 00:00

Një 28-vjeçar vietnamez vuante prej kohësh dhimbje të forta koke dhe në një moment u dorëzua dhe vendosit të shkojë të vizitohet.

Kur shkoi te mjekët, këta të fundit u tronditën. Nën lëkurën e kokës së Pham Quang Lanh kishin gjetur strehë një grup larvash.

Larvat me siguri do t’i kishin marrë jetën, po të mos ishte për një incident në të shkuarën e 28-vjeçarit. Para disa vitesh ai pësoi një aksident në punë dhe u godit në kokë nga një shufër hekuri.

Mjekët në atë kohë e operuan dhe i vendosën te vendi i çarë një pllakë titani. Pikërisht kjo pllakë e ka mbrojtur atë nga depërtimi i larvave, ndërsa këto të fundit e kanë mbrojtur 28-vjeçarin nga një armik akoma më i rrezikshëm, përhapja e një infektimi.

Sipas mjekëve, vendi i plagës ka marrë një infeksion para se të mbyllej plotësisht. Në këtë kohë me gjasa një insekt ka lëshuar vezët që më vonë janë bërë larva.

“Në raste të tjera të ngjashme, pacientët të gjithë kanë vdekur. Por në këtë rast, pllaka metalike ka shërbyer si ndalesë për depërtimin e larvave deri tek truri, ndërsa këto të fundit e kanë mbajtur të gjallë duke u ushqyer me indet e infektuara dhe duke parandaluar përhapjen e infektimit, që do të rezultonte vdekjeprurës për të”, thotë njëri prej doktorëve vietnamezë që u mor me rastin në fjalë.

Nga koka e të riut u nxorrën 15 larva, u pastrua dhe më pas u izolua mirë plaga dhe mjekët thonë se ai gëzon shëndet të plotë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel