Të përjetosh dy herë, të njëjtën tragjedi familjare…

08/04/2015 00:00

Ajo nuk e njohu kurrë të atin. Ishte viti 1994, kur Ferhat Hoxha nga fshati Vidohovë i Korçës u vra pabesisht nga shoku i tij grek në tentativën për ta grabitur, pak përpara se të kalonte në tokën shqiptare.

Hoxha, si shumë bashkëfshatarë të tij hynte dhe dilte ilegalisht ato kohë në Greqi, ku punonte dhe siguronte të ardhurat për familjen.

Afro dy muaj pas vdekjes së tij u lind Jorgjia, vajza që më pas u rrit nga gjyshërit. 18 vitet e para të jetës i kaloi plot peripeci, ku epiqendër ishte gjithmonë ngjarja e babait të saj.

Më pas një mashkull i mbushi boshllëkun e jetës. Lidhën kurorë, por lumturia nuk zgjati shumë. Një muaj e gjysmë pas martesës, kur ishte trejavëshe shtatzënë, i shoqi arrestohet në kufirin grek nën akuzën e trafikut të drogës, akuzë e cila nuk është pranuar kurrë nga ai, apo familjarët.

Historia e Jorgjisë është vetëm një nga të shumtat histori fatkeqe të pas viteve ’90. Për afro 25 vite nga ndërrimi i sistemeve, kanë qenë mbi 500 të vdekur nga kalimi i paligjshëm i kufijve. Të gjithë kanë luftuar për një jetë më të mirë, në përpjekjet e pashpresa dhe të dëshpëruara për të kaluar detin me skaf, apo duke ecur nëpër male me ditë të tëra.

Top Channel