Përpjekja e dëshpëruar e Leonardit, për një jetë më të mirë

08/04/2015 00:00

Ishte 16 Shkurt 2014, dita kur Leonard Isufi, 26-vjeçari nga Kukësi i shpërngulur me familjen në Tiranë, kishte dalë nga shtëpia pa i thënë asgjë askujt. Prej kohësh kishte marrë një vendim të pakthyeshëm, do të emigronte drejt Anglisë për një jetë më të mirë.

E kishte provuar dhe më herët emigrimin, duke punuar 8 vite në Itali. Që nga 16 Shkurti, për 10 ditë me radhë, ai udhëton nëpër shtete të ndryshme të Evropës, derisa më 26 Shkurt i bashkohet një grupi me 12 shqiptarë të tjerë në Holandë.

Fshihen në një kamion mallrash, metoda klasike dhe më aktuale e hyrjes ilegale në Britaninë e Madhe, por me të mbërritur në “Essex” kapen nga policia dhe deportohen sërish në Holandë. Policia britanike i hipi në tragetin me përmasa gjigante, “Stena Brittanica”, duke mos u shoqëruar nga askush.

Leonardi, së bashku me 24-vjeçarin Artur Doda vendosin të provojnë fatin. Hidhen nga trageti, me idenë se me not do t’ia dilnin deri në breg. Rrymat e forta oqeanike dhe temperaturat e ulëta i çojnë drejt vdekjes. Lajmi u publikua në mediat më të mëdha britanike.

Më 9 Mars, Leonardi do të mbushte 27 vjeç, ditëlindje të cilën nuk mundi ta festonte. Vetëm 10 ditë më vonë, ujërat nxorën në breg trupin e pajetë të tij.

Top Channel