Kontrast në Frontin Kombëtar, Marine Le Pen kundër të atit

08/04/2015 00:00

Kryetarja e partisë Fronti Kombëtar në Francë, Marine Le Pen ka deklaruar se do ta pengojë të atin, Jean Marie, që të garojë në zgjedhje më vonë gjatë vitit.

Në një deklaratë për shtyp, zonja Le Pen ka thënë se statusi i të atit si president nderi i partisë, nuk do të thotë se ai mund ta mbajë peng Frontin Kombëtar.

Javën e kaluar ajo dënoi deklaratat e përsëritura të Le Pen-it të vjetër se, dhomat naziste të gazit ishin një “detaj i historisë”. Vetë Marine Le Pen do të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit 2017.

“Mesa duket kemi hyrë në një spirale të vërtetë mes strategjisë së tokës së djegur dhe vetëvrasjes politike. Duke parë situatën, unë i thash atij se do ta kundërshtoj kandidimin në rajonin e Provencës, në Alpe dhe në Bregun e Kaltër”, ka thënë Le Pen në deklaratën për shtyp.

“Provokimet e hapura duket se synojnë të më dëmtojnë mua, por për fat të keq ato i japin një goditje të rëndë gjithë lëvizjes sonë”, vijon Marine.

Mediat franceze spekulojnë për një përjashtim të mundshëm të Jean Marie Le Pen nga partia të cilën ai e themeloi 40 vjet më parë.

Më herët gjatë muajit, zoti Le Pen dha një intervistë radiofonike në të cilën përsëriti referimet e tij për dhomat naziste të gazit dhe se lideri ushtarak francez në Luftën e Dytë Botërore, Marshalli Petain, padrejtësisht është cilësuar një personazh negativ.

Top Channel