Kosovë, opozita fton qytetarët në protestën e 18 prillit

08/04/2015 00:00

Liderët e tre partive opozitare në Kosovë, pas një takimi të zhvilluar këtë të mërkurë, kanë ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më datë 18 prill kundër qeverisë.

“Katër çështjet e protestës sonë janë: kundërshtimi i çmimit të lartë të energjisë elektrike, që po varfëron qytetarin dhe vendin; kapja e sistemit juridik; kapja e Radio Televizionit nga partitë në pushtet; dhe krijimi i shoqatës së komunave me shumicë serbe, që çdo ditë po merr përmasat e një republike brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

“Aleanca e merr shumë seriozisht detyrimin e saj për përgatitjen e protestës. Ne mendojmë se ky është një detyrim për të lehtësuar zërin e qytetarëve për këto çështje kaq të ndjeshme. Kapja e shtetit, shkalla e lartë e korrupsionit, çmimi i lartë i energjisë, situata në Gjykatën Kushtetuese, ajo e RTK-së dhe ajo e Trepçës janë çështje që na shqetësojnë”, tha kryetari i AAK, Ramush Haradinaj.

“Më 18 prill të mbajmë një protestë sa më masive, me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në këtë rast jemi tre partitë e opozitës që e organizojmë atë dhe ftojmë organizatat e ndryshme dhe shoqërinë civile, që kanë arsye apo janë të pakënaqur me zhvillimet në vend, të marrin pjesë. Ka çështje të ndryshme të cilat i shohim çdo ditë në Kosovë e që në një mënyrë apo një tjetër po rëndojnë jetët tona. Ndaj dhe motoja e protestës është Çlirimi i Shtetit”, tha kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Përmes kësaj proteste do të kërkohet që Trepça të shpallet me ligj ndërmarrje publike me status të veçantë, shkarkimi i ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe të bordit menaxhues të televizionit publik.

Top Channel