Vettel: Në Kinë për t’u konfirmuar, edhe pse Mercedesi do jetë më i fortë

08/04/2015 00:00

Tifozeria ferrariste duket se është ringjallur, kurioziteti ndaj Ferrarit është rritur edhe më shumë pas fitores në Malajzi. Vetëm pas pak ditësh do të verifikohet nëse triumfi i Sebastian Vettel në Sepang ishte vetëm një rastësi, apo do të shoqërohet edhe nga rezultate të reja pozitive.

Në Shangai do të garohet për provën e tretë të këtij Botërori të Formula 1, ndërkohë që vëmendja është fokusuar te “kokëkuqet” nga të cilat pritet më shumë se të gjitha të tjerat për të konkurruar ndaj Mercedesit të Hamilton dhe Rosberg.

Por, për katër herë kampionin e botës, gjermanin Vettel, objektivi është të bëjë një tjetër hap përpara dhe për të konfirmuar nivelin e kompetivitetit të shfaqur në Melbourne dhe Sepang.

“Do të jetë fundamentale, të konfirmojmë formën tonë të mirë – ka thënë Seb. – Pres një Mercedes edhe më të fortë se garën e kaluar. Me siguri që do të kenë bërë modifikime, si gjithmonë. Në Malajzi vuajtëm prej temperaturave të larta, ndërsa në Kinë klima do të jetë tërësisht e ndryshme, duke tentuar për nga freskia”.

Gara e vlefshme për Çmimin e Madh të Kinës, e treta e Botërorit 2015, do të zhvillohet të dielën në orën 08:00, ndërsa provat e lira një ditë më parë duke nisur nga ora 9 e mëngjesit. Si gjithmonë, sesionet e provave të lira zhvillohen gjatë së premtes, respektivisht në 4 të mëngjesit dhe 8 të mëngjesit të 10 Prillit.

Top Channel