Ndërtimi i Unazës së Madhe, 2 vite qira për banorët që kanë ndërtuar pa leje

08/04/2015 00:00

Të gjithë banorët që kanë ndërtuar mbi vijën e verdhë të projektit të Unazës së Madhe në aksin nga Komuna e Parisit deri tek Rruga e Kavajës, dhe që zotërojnë një çertifikatë pronësie dëmshpërblehen sipas ligjeve në fuqi, ndërsa për banorët e tjerë që kanë ndërtuar, por nuk kanë një çertifikatë të tillë, qeveria do të mundësojë pagesën e qirasë për 2 vjet.

Ministria e Zhvillimit Urban njoftoi në përfundim të verifikimeve në terren se janë gjetur dy raste; familje që kanë çertifikatë, qoftë të truallit, të banesës apo qoftë të të dyjave dhe familje që nuk disponojnë dokument pronësie as për truallin, as për banesën.

Për rastin e parë dëmshpërblimi do të bëhet sipas çmimit të tregut dhe një tjetër rrugë do të ndiqet për rastin e dytë.

“Këto janë kryesisht rastet kur familjet kanë ndërtuar pa leje brenda vijës kufizuese të projektit dhe për rrjedhojë, nuk mund t’i legalizojnë ato. Grupi i parë i familjeve iu nënshtrua ligjit të shpronësimit për interes publik. Për të gjetur zgjidhje optimale për rastin e dytë të familjeve që nuk disponojnë tituj pronësie, Qeveria mori përsipër që, nëpërmjet parave të taksapaguesve të mbulojë për dy vite qiranë e plotë të banesës në tregun e lirë, zgjidhje kjo e aplikuar edhe në rastin e Vlorës”, deklaroi Doris Andoni, Drejtore e Entit Kombëtar të Banesave.

Nga kategoria e dytë janë identifikuar 76 familje.

“Të gjithë personat që kanë emrin në këto lista janë të lutur të drejtohen sa më parë, në zyrën e Drejtorisë Rajonale të Entit të Banesave të Tiranës, me adresë prapa shkollës “Vasil Shanto”, të pajisur me: a) një certifikatë të gjendjes familjare;  b) një kopje të kartës së identitetit; c) të dhënat e llogarisë bankare”, deklaroi Andoni.

Top Channel