Vritet një ushtar amerikan dhe plagosen 6 të tjerë në Afganistan

09/04/2015 00:00

Një shtetas afgan i veshur me uniformë të forcave lokale të sigurisë hapi zjarr ndaj ushtarëve amerikanë në lindje të Afganistanit, ditën e mërkurë, duke vrarë një ushtar dhe plagosur disa të tjerë, para se të vriste veten.

Pentagoni dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë konfirmuar ngjarjen, por nuk kanë dhënë më shumë detaje mbi të. ‘Mund të konfirmojnë se një ushtar amerikan u vra sot në Afganistan”, tha koloneli Steve Warren, një zëdhënës i Pentagonit.

I pyetur nëse ky ishte një sulm nga një ushtar afgan, i cili qëlloi kundër forcave të NATO-s, Warren tha se është ende herët për të arritur në këtë përfundim.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimati, tha se autori i sulmit ishte një shtetas i paidentifikuar afgan, i cili ishte i veshur me uniformë të forcave të sigurisë afgane. Ndërkohë, një tjetër zyrtar amerikanë tha se në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe 6 ushtarë të tjerë amerikanë.

Top Channel