Luftimet në Jemen, Kerry paralajmëron Iranin

09/04/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka paralajmëruar Iranin për mbështetjen që dyshohet se u jep rebelëve Houthi në Jemen.

Kerry tha se, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo vend të Lindjes së Mesme që ndihet i kërcënuar nga Irani dhe nuk do të qëndrojnë duarkryq në rast se ky vend destabilizon rajonin.

Shtetet e Bashkuara kanë avancuar ndërkohë mbështetjen e tyre për koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite kundër rebelëve Houthi, epërsia e të cilëve bëri që Presidenti i Jemenit të braktiste vendin.

Nga ana e tij, Teherani i ka hedhur poshtë akuzat se po mbështet rebelët. Megjithatë, autoritetet iraniane dërguan anije të marinës në Gjirin e Adenit ditën e mërkurë.

Komandanti i marinës, admirali Habibollah Sayari, tha për median shtetërore se lëvizja kishte si synim ruajtjen e sigurisë në rrugët detare të rajonit.

“Është e qartë që ka furnizime të ardhura nga Irani. Ka një numër fluturimesh çdo javë për të dërguar ndihma”, deklaroi Kerry.

“Irani duhet të pranojë se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrijnë duarkryq teksa rajoni destabilizohet apo teksa njerëzit përfshihen në luftëra përtej kufijve të tyre, duke hyrë në vende të tjera”, shtoi shefi i diplomacisë amerikane.

Luftimet në qytetin jugor të Adenit, në Jemen, mes rebelëve Houthi dhe milicive besnike të Presidentit Abdrabuh Mansour Hadi, janë intensifikuar në ditët e fundit.

Ndërkohë që avionë ushtarakë nga koalicioni i udhëhequr nga sauditët në mbështetje të presidentit kanë bombarduar objektivat e rebelëve në veri të vendit.

Top Channel