Amnesty International: Separatistët, vrasje kolektive të ushtarëve ukrainas

09/04/2015 00:00

Amnesty International ka deklaruar se zotëron prova që rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës kanë kryer vrasje kolektive të ushtarëve ukrainas që mbanin rob.

AI citon deklaratën e një dëshmitari se një ushtar qeveritar ukrainas u qëllua me paramendim dhe në distancë të afërt nga një komandant i separatistëve.

Agjencia thotë gjithashtu se zotëron një video, në të cilën shfaqen tre ushtarë të tjerë, fillimisht të gjallë teksa mbahen rob, e më pas të vendosur në një morg me plagë plumbi në kokët e tyre dhe në pjesët e sipërme të trupit.

Armëpushimi i brishtë i arritur në shkurt duket se nuk i ka ndalur krimet, deklaron Amnesty, akte që, sipas saj, po ngrihen në nivelin e krimeve të luftës.

“Këto pretendime duhet të verifikohen me shpejtësi dhe paanshmëri dhe autorët e krimeve të gjykohen në gjykata të njohura nga autoritetet”, deklaroi Denis Krivoshev, nëndrejtor i organizatës për Europën dhe Azinë Qendrore.

Deklaratat vijnë pasi një komandant i separatistëve tha për gazetën ukrainase “Kyiv Post” se personalisht kishte vrarë 15 ushtarë të forcave të armatosura ukrainase të kapur rob.

Ndërsa një këshilltar i rebelëve tha për BBC-në, vitin e kaluar, se ata kishin kryer një seri ekzekutimesh në një zonë të kontrolluar nga separatistët me qëllim “parandalimin e kaosit”.

Edhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut kanë akuzuar të dyja palët e përfshira në konflikt për abuzime.

Rreth 6 mijë persona llogaritet të jenë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve në lindje të Ukrainës mes rebelëve pro-rusë dhe trupave qeveritare ukrainase një vit më parë.

Top Channel