Korea e Veriut akuzon Meksikën për shkelje të sovranitetit

09/04/2015 00:00

Korea e Veriut ka akuzuar Meksikën se po mban të bllokuar ilegalisht një nga anijet e saj që prej vitit të kaluar. Qeveria e Penianit pretendon se “Mu Du Bong” ishte një anije tregtare legjitime dhe se ndalimi i saj ishte një “shkelje e hapur e sovranitetit”.

Por një ekspert i OKB-së deklaron se mjeti lundrues i takon Bordit Detar të Koresë së Veriut, që ndodhet në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara.

Anija “Mu Du Bong” hyri në cekëtirën e shtetit meksikan të Verakruzit në korrik 2014 dhe koreanët pretendojnë se i kanë paguar një dëmshpërblim qeverisë së vendit amerikano-jugor.

Duke folur në një konferencë në Kombet e Bashkuara, ditën e mërkurë, zv.ambasadori korean An Myong Hun tha se. anija dhe ekuipazhi i saj duhet të lirohen.

“Mjeti ynë është një anije paqësore dhe legjitime tregtare, që lundron sipas udhëzimeve të Ministrisë sonë të Transportit. Ndalimi i saj është një shkelje e hapur e dinjitetit të sovranitetit të Koresë së Veriut”, deklaroi ambasadori.

Por Hugh Griffiths, koordinator i panelit të OKB që mbikëqyr shkeljet e sanksioneve, u tha gazetarëve se ka prova bindëse se anija ishte e lidhur me Kompaninë koreane të Menaxhimit të Ujërave, OMM.

Në korrik 2013, një tjetër anije koreane u ndalua nga autoritetet në
Panama, pasi armë dhe avionë ushtarakë të epokës sovietike u gjetën në
të, të fshehura poshtë thasëve të sheqerit. Sanksionet e OKB-së ndalojnë
çdo dërgesë armësh në Korenë e Veriut.

Në bazë të rezolutave të miratuara pas testeve bërthamore të Penianit në
vitet 2006 dhe 2009, eksporti i të gjitha armëve dhe pjesëve përbërëse
të armatimeve, me përjashtim të atyre të lehta, drejt vendit të izoluar
komunist është i ndaluar.

Top Channel