Londër, zbulohet naftë poshtë aeroportit “Gatwick”

09/04/2015 00:00

Njoftimi surprizë i bërë nga kompania britanike “UK Oil & Gas”, se në afërsi të aeroportit të dytë më të madh të Londrës gjendet një vendburim nafte i klasit botëror, përbën një lajm të mirë për ekonominë britanike me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike.

Vlerësohet se sasia e naftës nën këtë vendburim është rreth 100 miliardë fuçi nafte, ose 150 milionë fuçi nafte për milje katror.

Nga shpimet e bëra në këtë vendburim, që janë më të thellat e kryera në 30 vitet e fundit, në bazë të teknologjive më moderne të kohës, koncepteve dhe teknikave që nuk kanë qenë në dispozicion në vitet ’80, janë ofruar të dhëna të reja për depozitat e naftës në këtë zonë.

Britania aktualisht prodhon 770 mijë fuçi nafte në ditë, krahasuar me 11,1 milionë fuçi në Shtetet e Bashkuara dhe 11.7 milionë nga Arabia Saudie. Kjo sasi e konsiderueshme nafte në ishull është një burim i jashtëzkonshëm nafte, e cila gjendet pranë dhe nën aeroportin e dytë më të madh të Londrës, aeroportit të “Gatwick”, nga ku nisen fluturimet e “British Airways” për në Tiranë dhe Prishtinë.

Nafta gjendet në një thellësi nga 760 metra deri në 900 metra nën tokë. Britania ka nxjerrë afro 40 miliardë fuçi nafte nga Deti i Veriut gjatë 40 viteve të fundit, ndërkohë që kjo sasi e zbuluar është sa dyfishi i sasisë së nxjerrë nga Deti i Veriut.

Specialistët theksojnë se nuk është e nevojshme të aplikohet teknologjia e debatueshme e frakturimit hidraulik, të njohur si “Fracking”, përmes injektimit të ujit, rërës dhe kimikateve në këtë vendburim, por teknika tradicionle e nxjerrjes, pasi nafta në vendburimin “Horse Hill” ndodhet në shkëmbij të frakturuar natyrshëm.

Top Channel