Masakër në Gjykatën e Milanos. I pandehuri vret avokatin, gjykatësin dhe një dëshmitar

09/04/2015 00:00

Gjykata e Milanos u bë sot skenar i një ngjarjeje të rëndë. Një i akuzuar hapi zjarr brenda ndërtesës, duke shkaktuar vdekjen e 3 personave: një gjykatës, një avokat dhe një dëshmitar. Një person i katërt humbi gjithashtu jetën, jo nga të shtënat me armë zjarri, por nga një infarkt.

Autori i krimit, Claudio Giardiello, i akuzuar për mashtrime ekonomike, u kap rreth një orë e gjysmë më pas, 26 km larg selisë së gjykatës. Bëhet fjalë për një sipërmarrës në sektorin e ndërtimeve, i cili kohët e fundit ka qenë në vështirësi të mëdha financiare dhe ka pasur disa gjyqe të hapura, për mashtrime e shkelje.

Kryeministri Matteo Renzi ka qëndruar në lidhje të vazhdueshme me ministrin e Punëve të Brendshme, Angelino Alfano. Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë Andrea Orlando deklaroi se duhet parë, nëse ka pasur probleme për sa i përket sigurisë.

Në fakt, nga të dhënat e para duket se një prej detektorëve të metaleve ka qenë me defekt. Me gjithë tronditjen dhe habinë e madhe që shkaktoi, ngjarja e sotme kujton shumë, atë të 17 tetorit të vitit 2007, kur një shtetas shqiptar vrau tre persona brenda selisë së Gjykatës së Reggio Emilias dhe plagosi dy të tjerë.

Top Channel