SHBA dhe BE kritikojnë kryeministrin Tsipras për deklaratat në Moskë

09/04/2015 00:00

Të gjitha reagimet, që kanë ardhur menjëherë pas takimit të Aleksis Tsipras me Vladimir Putinin në Moskë, kanë pasur një emërues të përbashkët: që kryeministri grek ka zgjedhur një çast të papërshtatshëm për këtë vizitë, ndërsa deklarata e tij se ‘sanksionet ndaj Rusisë çojnë vetëm në udhëkryq’ ka shkaktuar shqetësim te partnerët.

“Në një moment, kur në unitet të plotë me BE-në po bëjmë presion mbi Moskën me sanksione dhe gjithçka tjetër në lidhje me Ukrainën, nuk mund të bëjmë sikur nuk po ndodh gjë dhe të përpiqemi për kontakte”, – thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit.

“Sa për sanksionet, për logjikën pse janë vendosur, ne nuk jemi dakord. Ne e kemi shprehur këtë mosmarrëveshje publikisht, edhe në nivelin e samiteve të larta. Ky është një opinion, që ua kemi shprehur partnerëve tanë, sepse nuk besojmë që një luftë ekonomike mund të jetë një zgjidhje efektive me perspektivë, dhe se kjo mund të çojë përsëri në marrëdhënie të ftohta të një lufte mes Perëndimit dhe Rusisë”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Nga ana e saj, edhe Kancelarja Merkel – sipas BBC, që i referohet një eurodeputeti pranë “Zonjës së hekurt” të Gjermanisë, – shprehet e nervozuar për këtë lëvizje të kryeministrit Tsipras.

“Çfarëe do të bëjë Athina, pasi ka luajtur tashmë edhe kartën e saj të Rusisë”, është pyetja retorike, që shtrohet për orët e ardhshme të Greqisë. Sipas britanikes “the Guardian”, që komenton shqetësimin e Brukselit, Moska sheh te Tsipras një aleat të mundshëm, në një kontinent ku ka shumë pak të tillë, dhe kjo është një strategji ruse për të minuar vijën e përbashkët të BE-së në çështjen e sanksioneve.

Nga ana tjetër, burime pranë Qeverisë në Athinë vënë në dukje, se Greqia mbajti vijën e saj europiane.

“Kriza nuk është vetëm një problem grek, por një problem europian. Dhe, për një problem europian do gjendet një zgjidhje europiane. Ne kemi përgjegjësi, së bashku me partnerët tanë për të gjetur një zgjidhje, përndryshe nuk do të ketë dëme vetëm Greqia, por gjithë Eurozona”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Sipas burimeve pranë Ministrisë greke të Financave, Greqia ka paguar sot edhe këstin e shumëpërfolur të FMN-së prej 448 mln euro, ndërsa bisedimet e specialistëve në Bruksel lënë shpresën se, në javët e ardhshme Athina mund të marrë pjesë-pjesë këstin e shumëpritur të ndihmave, në mënyrë që të shmangë falimentimin, në një moment kur skenarët për një dalje të mundshme të saj nga Eurozona janë më të shumtë dhe më të fuqishëm se kurrë.

Top Channel