Afganistan, sulm zyrës së kryeprokurorit; të shtëna e shpërthime në Balkh

09/04/2015 00:00

Persona të armatosur, të veshur me uniforma ushtarake, kanë bastisur
zyrën e prokurorit të përgjithshëm të provincës veriore Balkh, në
Afganistan.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, ndërsa dëshmitarë pranë vendit të ngjarjes thanë për BBC se panë katër persona të hynin në ndërtesë dhe më pas dëgjuan të shtëna dhe shpërthime.

Agresorët e armatosur janë ende brenda ndërtesës, në qytetin Mazar e Sharif, që është rrethuar nga forcat e sigurisë. Ende nuk dihet nëse kryeprokurori ndodhej në zyrën e tij, që ndodhet vetëm 100 metra nga ajo e guvernatorit.

Një zyrtar ka deklaruar se guvernatori Atta Muhammad Nur ndodhej në shtëpi në momentin e sulmit, por shkoi urgjent në zyrën e tij për të ndjekur situatën.

Ndërkohë, një zëdhënës i talebanëve ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit. Forcat afgane të Sigurisë Kombëtare kanë rrethuar godinën. Sulmi vjen një ditë pasi një ushtar amerikan u vra në një shkëmbim zjarri me trupat afgane në lindje të vendit.

Top Channel