Kuvend, debati për energjinë. PD: Ulni TVSH-në ose riktheni fashën. Gjiknuri: Sistemi ishte në kolaps

09/04/2015 00:00

Projektligji i demokratëve për uljen e TVSH-së së energjisë nga 20% në 6% ka rikthyer në Kuvend debatin për reformën ndërmarrë nga Qeveria në këtë sektor.

“Pse e kërkojmë ne heqjen e TVSH-së? Nëse nuk e doni këtë, atëherë ktheni fashën mbrojtëse. Unë nuk i mbroj njerëzit. Por vendosja e një çmimi 24% më të lartë e ka bërë të papërballueshëm çmimin e energjisë. Unë u them qytetarëve shqiptarë se kjo do të shkojë edhe më keq. Do të rritet edhe më tej dhe këtu do jemi. Sot ky çmim është 2 deri në 5 herë më i lartë në përpjestim me pagën mesatare se në çdo vend tjetër të kontinentit”, u shpreh deputeti demokrat Sali Berisha.

“Cili është realiteti sot? Çmimi mesatar duhej të ishte 9,78 lekë, ndërsa çmimi real që po paguajnë qytetarët shqiptarë është 9.5 lekë, gjë që do të thotë 3% më i lirë. Praktikisht është më i lirë sesa çmimi mesatar. Këto janë të dhëna bazuar në statistika reale. Ndoqëm atë që është më e drejta, duke unifikuar tarifën. Kjo praktikë është më e mira, e provuar kudo, është një rekomandim i institucioneve ndërkombëtare dhe që duhej të ishte bërë me kohë. Duke targetuar vetëm të varfërit, ata sot po marrin kompensimin e duhur nga shteti, për të mos u ndikuar nga çdo ndryshim apo luhatje e çmimit të energjisë elektrike”, u kundërpërgjigj ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.

“E vërteta është që ky operacion nuk kushton asnjë lek. Gjysma e TVSH-së që do të ulet i përket biznesit, dhe biznesi aq sa do të paguajë, as edhe do të kreditojë. Efekti në buxhet është neutral. Sa i përket individëve, të gjithë shumën e keni të parashikuar 1.6 miliard lekë i keni në buxhet. Sot është data 9 Prill dhe unë vazhdoj të këmbëngul zoti Cani, që prej kësaj shumë është harxhuar zero qindarka për kompensimin e të varfërve. Zero lek keni përdorur për mbrojtjen e shtresave në nevojë”, tha deputeti Florion Mima.

“Kur flisni këtu dhe u referoheni qytetarëve, duhet të thoni që u keni rënë mbi kokë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Atyre që heqin para nga buxhetet e tyre të vogla e familjare, për të paguar çmimin e energjisë elektrike që nuk e kanë paguar thjesht dhe vetëm për konsumin e tyre, por edhe për konsumin e të gjithë atyre që nuk e kanë paguar asnjëherë energjinë elektrike dhe e kanë vjedhur ditë pas dite. Këtu flitet për konsum dhe konsumi mesatar i familjeve me të ardhura mesatare apo asaj që konsiderohej si shtresë e mesme në këtë vend, fatura e energjisë elektrike ka ardhur në rënie. Çdo familje që konsumon mbi 400 kw energji elektrike, vlera e faturës është në ulje dhe ju gënjeni. Nuk bëni llogari. Bëni pak aritmetikë, sepse numrat ju nxjerrin banalisht në propagandën tuaj politike”, reagoi kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe.

Dy propozimet e demokratëve, ai për energjinë dhe rikthimin e taksës së qarkullimit në nivelin e mëparshëm, janë rrëzuar nga mazhoranca në komisione.

Top Channel