Gjykata shpërfill kontrollin elektronik

09/04/2015 00:00

Duket se jo vetëm të burgosurit nuk e preferojnë shumë byzylykun elektronik. Atyre u bashkohen edhe gjykatat në të gjithë vendin, të cilat që nga qershori 2014 nuk kanë shpallur asnjë vendim me të dënuar për mbikëqyrje elektronike, pavarësisht shifrave të larta të vendimeve që deklarojnë lirimin me kusht apo masave të sigurimit personal me arrest shtëpiak.

Por, ndërsa për të kontrolluar personat me arrest shtëpie kostoja i shkon Policisë së Shtetit, shpërfillja e gjykatave për të aplikuar edhe këtë formë dënimi i kushton edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve.

Prej një viti, punonjësit në Zyrën Qendrore të Mbikëqyrjes në Ministrinë e Drejtësisë, paraqiten në të tre turnet, por ata nuk kanë askënd për të mbikëqyrur.

Ilir Qafa, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, shprehet: “Duhet gjetur mundësia që gjykatave t’ua sjellim në vëmendje këtë alternativë. Gjykatat duhen ndërgjegjësuar për shfrytëzimin e saj”.

Mbikëqyrja elektronike u aplikua në vendin tonë për herë të parë në vitin 2013, për masa sigurie dhe për disa autorë krimesh të lehta, të cilët dënohen me kusht dhe të cilëve u duhen kontrolluar lëvizjet. Por, në total i janë nënshtruar këtij kufizimi vetëm 8 persona. Pas Tiranës, ky mekanizëm u zgjerua më tej në të gjithë vendin, në mënyrë që jo vetëm të ndikonte në uljen e mbipopullimit në burgje, por edhe të shmangte lëvizjet e pakontrolluara të atyre personave që ishin me arrest shtëpiak.

Megjithatë, viti që lamë pas nuk shënoi asnjë verdikt nga gjyqësori.

“Nuk po merret në konsideratë një mjet i vlefshëm në funksion të sigurisë publike. Nga qershori i vitit 2014 nuk kemi aplikim të kësaj mase. Nuk e di pse ndodh kjo”, thekson zoti Qafa.

MNë 13 mars, Ministria e Drejtësisë zhvilloi një tryezë për këtë çështje, në të cilën edhe ministri i Drejtësisë apeloi për ndërgjegjësimin e gjyqtarëve.

Top Channel