PD: Shteti mbështet bandën e Shullazit

09/04/2015 00:00

Pushimi i hetimeve ndaj oficerit të policisë, Roland Mete, i arrestuar në fillim të vitit pas shkëmbimit të zjarrit me Artur Bazen, i cili mbeti i vrarë në vend, është komentuar nga opozita si favori i radhës i pushtetit ndaj bandës së Emiliano Shullazit dhe ushtarëve të tij.

“Emiliano Shullazit iu ofruan të gjitha lehtësitë nga Qeveria, manipulimi i provave të ngjarjes, pritja me ceremoni në polici dhe shoqërimi nën kujdes të veçantë për në banesë, pa u hetuar asnjë minutë për ngjarjen e rëndë të përplasjes së përgjakshme të bandave, me të vdekur e të plagosur. Dhënia dhe shtrirja e favoreve dhe lehtësive edhe për ushtarin e bandës së tij është dyfish e rëndë. Sepse kjo konfirmon edhe njëherë vënien e shtetit në shërbim të bandave. Bandat përdoren për punët e pista, për blerje votash e shantazh ndaj votuesve, për kërcënim dëshmitarësh, për kërcënim të kundërshtarit politik. Ky është sundimi i krimit në nivelin më tragjik për vendin. Nuk ka zgjidhje tjetër, përveç përmbysjes së këtij regjimi, që bashkëqeveris me bandat më të tmerrshme kriminale”, tha deputeti demokrat Flamur Noka.

Top Channel