Kapitulli 12, reagon MAS pas protestave: Universitetet bëhen më të pavarura

09/04/2015 00:00

Pas qëndrimit unanim të Senatit të Universitetit të Tiranës kundër 6 neneve të kapitullit 12 të ligjit të Arsimit të Lartë, zëvendësministri i Arsimit Arbian Mazniku ka theksuar se, nenet që lidhen me krijimin e institucioneve publike të pavarura, të cilat mund të gjejnë zbatim pas dy apo 3 vitesh, i japin jo vetëm pavarësi, por edhe më shumë përgjegjësi universiteteve.

“Pavarësia është niveli më i lartë i autonomisë dhe i lirisë. Duket sikur kërkesa paska qenë për të fituar të gjitha të mirat e lirisë, pa përgjegjshmërinë që vjen bashkë me këto. Ndërkohë që kreu i 12 me të gjithë parashikimet që ka, krijon një balancë të drejtë të lirisë dhe ia jep lirinë e kërkuar institucioneve të Arsimit të Lartë, bashkë me përgjegjshmërinë që ato kanë. Dhe e bën këtë, jo vetëm si rrjedhojë e kërkesës së vazhdueshme të institucioneve të Arsimit të Lartë për të pasur më shumë liri, por dhe si shprehje e besimit tonë që në këtë mënyrë institucionet e Arsimit të Lartë mund të funksionojnë më mirë”, tha Arbian Mazniku.

Kritikat më të forta të Senatit për këtë kapitull lidhen me mundësinë, që u ofrohet universiteteve private që të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit. Sipas Maznikut, ligji parashikon që këto institucione private mund të funksionojnë vetëm si fondacione jofitimprurëse, dhe si fillim duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave, pasi të propozohen nga Ministria e Arsimit.

“Ndërkohë që për një institucion publik të pavarur, i cili në funksionim të një organizate jofitimprurëse të tipit fondacion, pra duhet të jetë detyrimisht në varësi të një fondacioni, i cili ka asete të pakthyeshme mbrapsht, te kushdo që ka qenë themeluesi i tij, ata mund ta bëjnë këtë kërkesë, e cila gjithashtu shqyrtohet në mënyrë të ngjashme nga Këshilli i Ministrave, për t’i dhënë këtë status të posaçëm. Ky status nuk i jep detyrimisht dhe automatikisht financim publik nga shteti, por vetëm mundësinë për të qenë ofrues të certifikuar të një shërbimi publik si një ent i shkëputur nga interesi privat, nuk gjeneron fitim dhe nuk ia çon fitimin një personi, agjencie apo enti”, theksoi më tej Mazniku.

Por, nëse një universitet privat kërkon të kthehet në institucion të Arsimit të Lartë të pavarur, a duhet të heqë dorë nga aksionet e tij dhe t’ia dhurojë fondacionit?

“Heqin dorë nga aksionet e tyre, kanë hequr plotësisht dorë nga prona, duke e kaluar në pronësi të fondacionit, si dhe heqin dorë edhe nga kontrolli mbi të, në qoftë se kërkojnë financim publik”, deklaroi Arbian Mazniku.

Ministria e Arsimit shprehet se, ky kapitulli iu siguron institucioneve publike të Arsimit të Lartë pavarësinë e kërkuar, si dhe iu jep mundësi të rrisin të ardhurat e tyre, jo vetëm përmes fondeve publike, por edhe atyre private.

Top Channel